Balluku: 102 apartamente gati deri në fund të vitit në Marikaj
Shqipëri

Balluku: 102 apartamente gati deri në fund të vitit në Marikaj

ATSH

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet që po bëhen në Marikaj (Vorë), për ndërtimin e apartamenteve të reja, pjesë e procesit të rindërtimit.

Zëvendëskryeministrja u informua nga kreu i bashkisë së Vorës, Blerim Sheraj se ka përfunduar 80 % e vëllimit të punimeve dhe se të gjitha apartamentet do të jenë gati deri në fund të vitit.

Balluku bëri të ditur se, përmes investimit prej 450 milionë lekësh nga buxheti i shtetit do të strehohen në apartamente të reja rreth 102 familje, të cilat u prekën nga tërmeti.

Ndërkohë, kreu i bashkisë së Vorës tha se 593 familje janë mbështetur me grant për riparimin e ndërtesave të tyre.

Balluku i kërkoi kreut të bashkisë nisjen e inspektimit në të gjitha familjet që kanë kryer riparime për të verifikuar cilësinë e punimeve.

“Duhet skanim i të gjithë procesit të punimeve të meremetimit”, tha Balluku.

Zv/kryeministrja informoi se banesat e reja në kuadër të programit të rindërtimit janë të veshura me kapot, që i bën ato edhe eficiente sa i takon konsumit të energjisë. Këtë standard, Balluku kërkoi që bashkitë ta vendosin edhe në të gjitha ndërtimet e reja.

Ajo informoi se ambientet dhe kushtet dinjitoze për familjet që do të strehohen në këto apartamente, do të pasohet edhe me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, duke ofruar kushte akoma edhe më të mira.

 


MË SHUME NGA Shqipëri