Balla: Shqipëria e Mali i Zi, rol të rëndësishëm për paqe e stabilitet
Shqipëri

Balla: Shqipëria e Mali i Zi, rol të rëndësishëm për paqe e stabilitet

ATSH

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, përfaqësues i Partisë Alternativa Shqiptare.

Në deklaratën për mediet pas takimit me ministrin Dukaj, Balla u shpreh se “mirëprita në Kuvendin e Shqipërisë së bashku me kolegë të tjerë deputet Ministrin për Administratën Publike në qeverinë e Malit të Zi, mikun tonë Marash Dukaj, i cili përfaqëson qeverinë e Malit të Zi, Partinë Alternativa Shqiptare dhe që gjej rastin t’i përgëzoj për rritjen e vazhdueshme të përfaqësimit të shqiptarëve në Malin e Zi tani edhe me një portofol ministror, pas një portofoli të rëndësishëm sikurse është ajo e drejtimit të bashkisë së Durrësit, por që në fakt Alternativa Shqiptare përfaqësohet edhe në mjaft bashki të tjera, ku natyrshëm kryeqyteti Podgoricë, ku unë shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme vendore të rinkorfimohet madje me rezultat më të mirë përfaqësimi i Alternativës. Po ashtu është forcë vendimtare në Plavë e Guci, dhe po ashtu shpresoj të jemi edhe në Tivar në zgjedhjet e tetorit”.

“Vlerësojmë rolin shumë të rëndësishëm që “Alternativa Shqiptare” luan në Kuvendin e Malit të Zi e po ashtu edhe si pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga Kryeministri Dritan Abazoviç, të cilin po ashtu gjej rastin ta vlerësoj për orientimin e spikatur të Malit të Zi në drejtim të miratimit dhe zbatimit të reformave në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Malit të Zi dhe natyrshëm bashkë me Shqipërinë si dy vende anëtare të NATO-s”, tha ai.

Balla theksoi se, Shqipëria dhe Mali i Zi luajnë një rol të rëndësishëm për paqen e stabilitetin në rajon dhe në kuadër të forcimit të nismave rajonale për një integrim më të shpejtë mes njëri-tjetrit në kuadër të Bashkimit Europian.

“Gjej rastin ta përgëzoj Marashin për punën e shkëlqyer, sepse për ata që nuk e dinë është hera e parë që shqiptarët në Mal të Zi jo vetëm që kanë marrë një ministri, por është një prej ministrive më të rëndësishme dhe që si  anëtar i Kuvendit të Shqipërisë mbështesim plotësisht integrimin e shqiptarëve në administratën publike në nivelin që i takon shqiptarëve si një përqindje e rëndësishme në kuadër të popullsisë të Malit të Zi. Unë do doja të nënvizoja atë që tha Marashi e që ka të bëjë me urën mbi Bunë, në fakt është një angazhim i të dy kryeministrave, Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Abazoviç, dhe më pas në nivel të ministrave të transporteve Balluku dhe Ibrahomoviç, të cilët po çojnë përpara realizimin e një ëndrre do ta quaja unë  shumë të vjetër që ka të bëjë me një lidhje të drejtpërdrejtë mes Ulqinit dhe Shkodrës, përmes Velipojës që është një bashkim për herë të parë i të gjitha brigjeve që lag Adriatiku, të cilat janë brigje shqiptare. Kështu që në këtë këndvështrim realizimi i sa më shpejtë i këtij projekti infrastrukturor të rëndësishëm gjen mbështetje edhe të Kuvendit të Shqipërisë  dhe besoj që në ditët apo javët në vijim ne do të shohim sadopak konkretizimin e procedurave për fillimin e ndërtimit të këtij projekti dhe më pas dhe ajo gjëja simbolike e pikës doganore që do të lidhë të dyja pjesët përmes urës së re mbi Bunë”, tha Balla.

Balla ripërsëriti faktin që grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të vijojë të intensifikojë marrëdhëniet me të gjitha partitë shqiptare në të gjithë rajonin e Ballkanit. “Natyrshëm, ne kemi raporte shumë të mira me “Alternativën Shqiptare”, sikurse Marashi e tha, t’i forcojmë këto kontakte në dobi të përfaqësimit të shqiptarëve të Malit të Zi”.

“Ajo që kemi arritur gjatë vitit të fundit ku që nga viti 2006 asnjëherë nuk kishin parë një përfaqësim të tillë që nga pavarësia e Malit të Zi, tregon që jemi në rrugën e duhur, sepse e vërteta është që shqiptarët janë faktorë paqeje dhe stabiliteti në të gjithë rajonin, ashtu si roli i shqiptarëve edhe në pjesë të tjera si shqiptarët në Preshevë të cilët janë të përfaqësuar në parlamentin e Serbisë. Kjo tregon një rritje dhe ajo që për mua është njëlloj krenarie është që ne sot kemi kontaktet më të mira, dhe këto kontakte janë në dobi të mirëpërfaqësimit të shqiptarëve”, përfundoi Balla.


MË SHUME NGA Shqipëri