Shqipëria nis negociatat me BE për kapitujt e drejtësisë
Shqipëri

Shqipëria nis negociatat me BE për kapitujt e drejtësisë

RTSH

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me deputeten e PS, Etilda Gjonaj dhe atë të PD, Jorida Tabakun.

Takimi është zhvilluar në ambientet e Kuvendit, ndërsa në fokus të bisedës ka qenë ecuria e Shqipërisë për integrimin, ku sot janë nisur negociatat me BE për kapitullin e drejtësisë.

Detaje nga takimi me ambasadoren ka ndarë deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila tha se drejtësia, lufta ndaj korrupsionit dhe zgjedhjet e lira ishin fokus i bisedës.

Tabaku bëri të ditur se i ka shprehur edhe shqetësimet e opozitës lidhur me disa nga nismat e qeverisë që sipas saj nuk janë në frymën e integrimit të vendit.

“Sot diskutova me ambasadoren Yuri Kim prioritetet e procesit të integrimit në BE dhe rëndësinë që ka drejtësia. S’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin: Lufta e korrupsionit, krimit të organizuar, zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet të jenë kryefjala e politikës!

Gjithashtu fokus të veçantë me ambasadoren e SHBA-së morën dhe shqetësimet e opozitës dhe ekspertëve të pavarur mbi nismat e fundit qeveritare si: amnistia Fiskale, pasaportat e arta, legalizimi i kanabisit që nuk janë projekte nën frymën e integrimit ndaj i duhet thënë stop.

E angazhuar për të mbikëqyrur dhe kontrolluar punën e qeverisë në këtë proces. Duhet ndryshuar mentaliteti i administratës publike!  I bëj thirrje qeverisë ta përdorë procesin e integrimit si një mënyrë për tërheqjen e mijërave të rinjve të talentuar që janë larguar nga Shqipëria”, shkruan Tabaku.

Pas hapjes së negociatave, Shqipëria nisi sot zyrtarisht në Bruksel procesin “Screening” lidhur me negociatat që do të zhvillohen për kapitujt për përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.

Negociatat me BE kanë nisur edhe më kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.


MË SHUME NGA Shqipëri