Meta për zgjedhjet lokale: Opozita të dalë me kandidatë të përbashkët
Shqipëri

Meta për zgjedhjet lokale: Opozita të dalë me kandidatë të përbashkët

ATSH

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se kjo parti do të kandidojë me kandidatë të përbashkët me PD në zgjedhjet vendore 2023.

Në një konferencë për mediet, Meta u shpreh se shumë shpejt do të mbledhin komitetin e Partisë së Lirisë, ndërsa shtoi se kanë ambicie shumë të forta për këtë proces.

Ai tha se objektiv është fitorja e opozitës duke theksuar se janë të hapur për të bashkëpunuar me PD, duke mbështetur kandidatët më të mirë.

“Kemi nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Do mbledhim komitetin e PL. Kemi ambicie shumë të forta. Shqipëria do të ndahet nga regjimi një partiak dhe i paligjshëm. Dhe do të rivendosë edhe demokracinë vendore, llogaridhënien dhe këto 4 vite të keqqeverisjes totale kanë qenë të mjaftueshme për t’i dhënë ndëshkimin e merituar.Objektiv është fitorja e opozitës. Jemi të hapur për të bashkëpunuar me PD që të mbështeten kandidatët më të mirë për t’i qëndruar besnik llogaridhënies”, tha Meta.

Meta deklaroi sot se miratimi i vendimit të qeverisë nga Enti Rregullator i Energjisë, ERE për vendosjen e fashës 800 kWh, do të sjellë rritjen e çmimit të energjisë për shqiptarët.

Ai tha se mbështet kërkesën e Konfindustrias për seancë dëgjimore në Kuvend me ERE.

“Ky ent e ka për detyrim ligjor të shpjegojë publikisht në mënyrë profesionale të hollësishme përpara Kuvendit të Shqipërisë arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjetik, që kanë çuar në pranimin e plotë dhe pa asnjë ndryshim nga ana e saj të propozimit të ekzekutivit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë elektrike”, tha ai.

Meta shton se, sipas të dhënave, në vitin 2021 sistemi energjetik prodhoi 6,5% më shumë energji elektrike, sesa nevojat për konsum dhe çuditërisht vendi kaloi në krizë energjetike të shpallur nga kryeministri. Gjithashtu, prodhimi i përgjithshëm i brendshëm i energjisë elektrike ka tejkaluar ndjeshëm nevojat e klientëve tariforë për 6-mujorin e parë të vitit 2022 dhe në vazhdim.


MË SHUME NGA Shqipëri