Subvencionimi i pajisjeve efiçiente, 6 milionë euro|Video
Lajme

Subvencionimi i pajisjeve efiçiente, 6 milionë euro|Video

Qëndresa Duraku /RTK

Qeveria ka miratuar disa masa për ta kursyer energjinë, por për subvencionimin e pajisjeve efiçiente ende nuk ka nisur ta zbatojë. Në Ministrinë e Ekonomisë thonë se janë duke u përgatitur termat e referencës, e më pas të hapet forma e aplikimit. Por, ekspertët e energjisë thonë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për t?i përkrahur qytetarët për kursimin e energjisë.

Qytetarët kanë filluar ta kursejnë energjinë aq sa po munden. Ata thonë se kriza me çmimet ka bërë që të kujdesen më shumë rreth kursimit të rrymës.

"S’ka nevojë të me thotë Qeveria, na jem të vetëdijshëm që duhet të kursehet energjia. Energjia është tejet e rëndësishme", tha Fidaim Sahiti, qytetar

"Po. Me mjetet që janë në shtëpi, si grealicat, shporetet këto gjëra po i përdorim më pak", tha Milazim Avdullahu, qytetar.

Për kursimin e energjisë, Ministria e Ekonomisë ka planifikuar të ndajë disa miliona euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për qytetarët, sidomos për ata që jetojnë nëpër objekte kolektive, por ende nuk dihet se kur do të nisë zbatimi i kësaj mase.

"Një subvencion për pajisjet të ngrohjes së hapësirave janë parapa të ndahen 6 milion euro nga e cila do të ketë subvencionim edhe të invertorëve ose pompave ajër - ajër, të cilat janë të përshtatshme për këtë lloj konsumatori, sepse kursimi me këtë lloj pajisje është rreth 70 % krahasuar me ngrohësin e thjesht", tha Sabit Gashi nga departamenti i Energjisë në Ministri të Ekonomisë.

Eksperti i efiçiencës së energjisë, Bedri Dragusha, thotë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për ta menaxhuar krizën energjetike në vend.

"Mund të themi se Qeveria në këtë aspekt ka ngec shumë se së pari nuk ka e marrë shumë për

bazë krizën energjetike edhe pse dihet se kjo është që një vit. Edhe nisur nga aspekti financiar

Qeveria në fakt nuk e ka subvencionu qytetarin tash për tash", tha Bedri Dragusha, ekspert i eficiencës së energjisë.

Zyrtarët e KEDS-it thonë se pajisjet elektrike shtëpiake janë shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike.

"... Prandaj në këto situata aty ku ka mundësi duhet në mënyrë automatike të kalohet në kaldaja që përdoren në forma alternative sic janë lëndë djegëse e jo të përdoren kaldat me energji elektrike", tha Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Qeveria ka miratuar 20 masa për kursimin e energjisë, njëra nga to është edhe temperatura 19 gradë celsius nëpër objektet publike dhe ndriçimi i reduktuar publik.

 


MË SHUME NGA Lajme