Kurti mbajti konferencë me Klubin e Korrespondentëve të Huaj të Japonisë
Foto: ZKM
Lajme

Kurti mbajti konferencë me Klubin e Korrespondentëve të Huaj të Japonisë

B. Halimi / RTKlive

Kryeministri Albin Kurti mbajti një konferencë për media në Klubin e Korrespondentëve të Huaj të Japonisë (The Foreign Correspondent`s Club of Japan), në ditën e dytë të qëndrimit në Japoni.

Duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë hyrëse, ai fillimisht foli për figurën, rëndësinë dhe roli e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, të cilit i dhanë lamtumirën e fundit dje, njofton zyra e kryeministrit.

“Kryeministri Abe ishte një politikan i madh dhe një burrështetas edhe më i madh: Ai ishte një lider që kishte një vizion afatgjatë dhe transformues se si vendi i tij do të mund të shërbente si një forcë e të mirës në botë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në adresimin e tij, më tej kryeministri Kurti prezantoi sukseset e Kosovës dhe arritjet e Qeverisë. Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, tha ndër të tjera kryeministri Kurti, teksa listoi përmirësimet e Kosovës në raportet ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporters without Borders dhe World Justice Project.

Ai tha se progresi demokratik dhe sundimi i ligjit gjatë vitit që po lëmë pas janë shoqëruar edhe me zhvillim ekonomik. “Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 10.7%, kurse këtë vit për herë të parë eksportet pritet të tejkalojnë shifrën prej 1 miliard euro”, deklaroi kryeministri Kurti.

Përveç sukseseve të brendshme, kryeministri Kurti foli edhe për angazhimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Me pjesëmarrjen në Defender Europe 2021 përkrah 26 vendeve tjera dhe me vendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndaj Rusisë në njërën anë, dhe akomodimin e mbi 1800 refugjatëve afganë dhe 9 gazetarëve nga Ukraina në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar se është partner i sigurt dhe aleat besnik në arenën ndërkombëtare, tha kryeministri Kurti.

Duke veçuar lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, dhe rrezikun që ato paraqesin për rajonin, kryeministri Kurti tha se Kosova dhe Japonia kanë një lidhje të veçantë si dy shtete që janë të përkushtuara për qeveri demokratike, por të cilat po ashtu përballen me regjime autokratike në rajonet përkatëse.​

Kurti falënderon presidentin e JICA-s, Akihiko Tanaka për kontributin e dhënë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Japoni ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Akihiko Tanaka. Kryeministri Kurti e ka falënderuar presidentin e JICA-s, Tanaka për kontributin që ka dhënë ky agjencion në fusha të ndryshme që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Presidenti Tanaka e ka falënderuar kryeministrin Kurti për mbështetjen e projekteve të JICA në Kosovë dhe për interesimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Në takim është biseduar edhe mundësia për programe të reja të JICA që kanë të bëjnë me fushën e arsimit dhe shëndetësisë, njofton zyra e kryeministrin.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i është shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme