Dimër i vështirë me energji, miratohet zgjatja e masave emergjente
Foto: Fatos Cërvadiku/RTK
Në Fokus

Dimër i vështirë me energji, miratohet zgjatja e masave emergjente

Fatos Cërvadiku/RTK

Me shumicë votash Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka aprovuar vendimin e qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë. Gjatë takimit ministrja Artane Rizvanolli ka treguar për masat që janë ndërmarr për kursim të energjisë, derisa ka treguar se një nga vendimet e radhës do të jetë edhe ndalimi i poçeve elektrike jo efiçiente.

Ministrja Artane Rizvanolli, tha se Evropa po vazhdon të kalojë në një krizë energjetike më të rëndë se vitin e kaluar e përkeqësimi ka ardhur  për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të burimeve të energjisë si armë nga ana e presidentit rus, Putin.

Ministrja ka paralajmëruar dimër të vështirë e krizë të rëndë me reduktime kur tregoi pse po kërkojnë zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji.

“Duke qenë se jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet e gjatë muajve të fundit kemi pasur disa njësi jashtë operimit për shkak të ndërhyrjeve që duhej bërë për përgatitje për dimër, kjo ka qenë arsye pse kemi kërkuar masat e energjisë para dy muajsh, dhe tani po kërkojmë që këto të zgjaten duke marr parasysh që pritet që të jetë një dimër i vështirë”.

Rizvanolli ka folur për masat që kanë marr si qeveri për kursim të energjisë dhe për masat që pritet t’i marr tutje ekzekutivi.

"Gjatë kësaj kohe kemi marr disa vendime. Përveç ndalimit të kriptovaklutave me energji, janë vendosur masa detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike. Është ndaluar eksporti e ri-eksporti i produkteve të drurit dhe lëndëve djegëse, është shfuqizuar vendimi për ndalimin e dhënies së thëngjillit për punëtorët e KEK-ut dhe të gjitha këto janë bërë me rekomandim të Komitetit Teknik Emergjent”, tha ajo.

Tutje Rizvanolli shtoi se është marr një vendim që për qëllim të mbulimit të konsumit është rekomanduar që KEK-u energjinë që e merr nga KESH i Shqipërisë t’ia ofrojë furnizuesit të shërbimit universal dhe KOSTT-it sipas marrëveshjes me furnizim me shumicë.

Ndërkohë, ndër masat që pritet të merren së shpejti është edhe ndalimi i poçeve elektrike jo efiçiente.

Subvnecionimi i energjisë tha ajo do të vazhdojë edhe në muajt në vijim derisa nga shkurti deri në gusht, Rizvanolli tha se janë paguar mbi 46 milion euro, e kështu do të vazhdohet deri në shfrytëzimin e 90 milionëshit.

“Përveç të këtyre masave Qeveria ka ndarë 6 milion euro me qëllim të subvencionit të konsumatorëve fundor për zbatimin e masave për kursim të energjisë, skema e subvencionimit pritet të lansohet brenda 1 ose 2 jave”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit Ferat Shala ka folur për mjetet që tha se shkuan në llogarinë e KEDS-it.

 “Mjetet prej 70 milionë nga cila konto janë alokuar, në kontot private. Pra a kanë shkuar tek kompania turke. Pyetja është se nga cilat konto kanë shkuar këto mjete, nga MZh-ja apo nga Ministria e Financave. A mund të na konfirmosh se këto mjete kanë shkuar tek kompania turke”, pyeti Shala.

Rizvanolli tha se KEDS-i është kompania e vetme e licencuar.

“Kompanisë që po i referoheni si turke është e vetmja që është e licencuar. Mjetet janë ndarë me vendim të qeverisë me rekomandim të MZH-së në llogari të konsumatorëve dhe secili prej tyre mund ta vëreje në faturën e tyre lehtë me një qasje në aplikacion. Është e vërtetë se mjetet kanë shkuar në këtë kompani sepse është e vetmja që operon në Kosovë”, tha Rizvanolli.

 

Ndërkohë deputeti, Pal Lekaj pyeti ministren se si do të reagojnë  rreth çmimit të peletit që sipas tij të mërkurën çmimi ka shkuar deri në 600 euro, derisa e pyeti edhe për raportimet në media për riparim të gabueshëm të remontit të Bllokut B2.

Këto raportime në Rizvanolli i quajti shpifje dhe të pavërteta.

Ndërkohë deputeti i LVV-së, Armend Muja pyeti rreth humbjeve të energjisë nga vjedhjet dhe cilat do të jenë masat që do t’i ndërmarrin.

Rizvanolli tha se për këto masa për vjedhje kanë diskutuar dhe si hap do të jetë një takim i nivelit të lartë me institucionet relevante. Për këtë tha se e ka informuar ministren Haxhiu e ministrin Sveçla.

Kurse, Mimoza Kusari- Lila nga LVV-ja tha se me ligjin aktual masat përcaktojnë 60 ditë, plus 30 ditë tjera. Nëse kriza ndodhë edhe më vonë si do te bëhet, pyeti ajo.

Ministrja Rizvanolli tha me te gjitha shtesat, masat mund të shtyhen deri në mars.

Pyetje aty pati edhe për Trepçën dhe rastin e fundit që ndodhi me ngujimin e minatorëve aty.

Ferat Shala kërkoi nga ministrja Rizvanolli të dijë çka është ndërmarrë gjate kësaj mase përgatitore për Trepçën, konkretisht me reduktimet që mos të rrezikohen  njerëzit dhe industria.

Rizvanolli tha se është furnizuar rregullisht dhe kursimi nga ana e Trepçës është me rëndësi. Ajo tha se janë duke punuar me humbje qe shume vite Trepça, por do ta bëjnë të pamundurën ta ndihmojnë.

 


MË SHUME NGA Në Fokus