Gützkow: KiE, mbështetje institucioneve të drejtësisë në Shqipëri
Shqipëri

Gützkow: KiE, mbështetje institucioneve të drejtësisë në Shqipëri

ATSH

Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, Jutta Gützkow, u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se KiE do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi në Shqipëri.

Ndërkohë theksoi Gützkow, KiE në fazën e tretë do të vijojë të ketë në qendër të vëmendjes mbështetjen e institucioneve shqiptare të drejtësisë.

ATSH: Ky është fundi i fazës së dytë të programit “Instrumenti Horizontal i Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal II) 2019-2022”, si u implementua ky program në Shqipëri dhe në cilat fusha?

Jutta Gützkow: Unë dua të bëj një sugjerim. Dua të shkoj pas tek zanafilla e bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, sepse në 3 tetor ne festojmë 25 vjetorin e shkollës së Magjistraturës. Kjo do të thotë që bashkëpunimi mes KiE-së dhe BE-së, në, me dhe për Shqipërinë ka filluar edhe më parë se Shqipëria të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës në 1995. Kjo do të thotë se Instrumenti Horizontal bazohet në eksperiencën e madhe që krijuam dhe progresivisht u familjarizuam me institucionet në Shqipëri, ne ndihmuam në krijimin e institucioneve si shkolla e Magjistraturës.

Pra ne u njohëm me njëri-tjetrin dhe më pas filluam Instrumentin Horizontal dhe tashmë kemi rënë dakord ta vazhdojmë Instrumentin Horizontal për një fazë të tretë, duke u bazuar në eksperiencën e përbashkët, në njohjen e njëri-tjetrit dhe tek objektivat e përbashkëta.

Instrumenti Horizontal ka qenë veçanërisht i suksesshëm. Së pari kemi pasur objektiva të përbashkët shumë të rëndësishëm si sigurimi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, luftimi i diskriminimit dhe liria e shprehjes. Dhe ka një marrëveshje të përbashkët për atë që duhet bërë dhe sesi gjërat duhen bërë. Dhe nëse të gjithë aktorët janë të angazhuar për këto objektiva mund të arrihen rezultate.

ATSH: Cilat janë disa nga projektet që janë implementuar në Shqipëri përmes këtij programi?

Jutta Gützkow: Dua t’ju flas për një projekt që është më pak i njohur, për të drejtat e njeriut tek të burgosurit dhe një që është diskutuar shpesh dhe që është reforma në drejtësi. Sepse janë 6 projekte dhe t’i përmend do të gjithë do të duhet shumë kohë.

Për projektin për të drejtat e njeriut tek të burgosurit dua t’ju sjell në vëmendje se jemi duke punuar së bashku me Drejtorinë e Përgjithshëm së Burgjeve për të lehtësuar jetën dhe punën e grave të burgosura. Dhe kjo bëhet për qëllimin që të lehtësojë rehabilitimin e të burgosurave që kur të lënë burgun t’i kthehen jetës normale. Dhe kjo përfshin gjithashtu trajnimin e stafeve të burgjeve, që po e mbështesim.

Kjo do të thotë që jemi në kontakt me aktorë të ndryshëm në mënyrë që të arrijmë objektivin e përbashkët të rehabilitimit të burgosurve dhe sigurisht parandalimin e krimeve të tjera.

Kur vjen fjala tek sektori i drejtësisë. Sigurisht të gjithë flasin për reformën në drejtësi dhe të gjithë e mbështesin këtë proces. Së pari institucionet e Shqipërisë, por edhe shumë projekte që implementohen nga donatorë të ndryshëm. Dhe sigurisht KiE ka qenë pjesë e këtij procesi prej disa vitesh dhe disa histori suksesi janë përmbyllja e hartës se re gjyqësore . Dhe dua të nënvizoj se roli i KiE-s ishte të siguronte këshillat e ekspertëve, pra të gjente metodologjinë për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe kostot u morën nga qeveria shqiptare pas punës përgatitore të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Një tjetër aspekt i reformës në drejtësi që e sjell më afër qytetarëve janë për shembull sondazhet online me përdoruesit e gjykatës, që janë avokatët dhe palët që përfshihen në çështjet në gjykatë. Ata mund të thonë menjëherë se çfarë funksionoi dhe çfarë nuk funksionoi, nëse është një problem i aksesit fizik në gjykatë apo ka të bëjë me kuptimin e vendimit.

Një tjetër çështje është komunikimi elektronik online midis gjykatave, avokatëve dhe palët e përfshira në çështjet gjyqësore, që shpresojmë të përshpejtojë procesin. Që të mos mbështetemi tek letra dhe shansi që të mos dorëzohet sepse dikush që është në shtëpi nuk mund ta marrë, por mund të ndodhë shumë më shpejt me e-mail. Do t’ju ftoja në lançimin e këtij projekti javën e ardhshme.

ATSH: Cilët janë disa nga projektet që do të implementohen gjatë fazës së tretët të Instrumentit Horizontal?

Jutta Gützkow: Do të doja të përmendja 2 fjalë kyçe, që janë “vazhdimësi” dhe “qëndrueshmëri”. Nëse duam të arrijmë qëndrueshmëri dhe impakt real, nuk mund të shkojmë për zgjidhje të shpejta, duhet të vendosim marrëdhënie pune të besueshme dhe duhet të ndjekim. Për shembull nëse duam të kemi gjykata funksionale duhet gjithashtu siç e thashë të kemi feedback-un e përdoruesve të gjykatës. Kjo do të thotë që në të ardhmen, në fazën e tretë të Instrumentit Horizontal sërish efiçenca e drejtësisë do të jetë prioritet i yni, për të ndërtuar një punë të suksesshme dhe për të vijuar mbështetjen e institucioneve shqiptare të drejtësisë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle