Rama: Oborri i Shtëpisë Muze të Pavarësisë në Vlorë, zemra e Parkut të Ri
Shqipëri

Rama: Oborri i Shtëpisë Muze të Pavarësisë në Vlorë, zemra e Parkut të Ri

ATSH

Pas përfundimit të punimeve në Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë, park ky që lidh pjesën e brendshme të qytetit me Lungomaren, tashmë janë ndezur edhe dritat te emrat e firmëtarëve të pavarësisë, në oborrin e shtëpisë muze.

Kryeministri Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga oborri i Shtëpisë Muze të Pavarësisë në Vlorë, të cilën e cilësoi si “zemra e Parkut të Ri, tanimë i përfunduar plotësisht si një tjetër aset i vyer publik i Vlorës së Rilindur”.

Në park janë vendosur 10 emrat e ministrave dhe 40 firmëtarëve të Pavarësisë.

Ky park i ri jo vetëm do t’i shërbejë qytetarëve, por është edhe një atraksion më shumë për turistët vendas e të huaj që pushojnë në qytetin bregdetar.

Parku është konceptuar si një vatër e gjelbër mes qytetit dhe detit, që merr parasysh transformimet urbane dhe infrastrukturore për të krijuar lidhje të reja fizike dhe vizuale midis të dyve.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është i vendosur në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti.


MË SHUME NGA Shqipëri