Qeveria: S`ka paga për grevistët; Miftaraj: Vendim i kundërligjshëm
Foto: thentrepreneurhouse.com/Ilustrim
Lajme

Qeveria: S`ka paga për grevistët; Miftaraj: Vendim i kundërligjshëm

Albana Bajrami / Radio Kosova

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të ekzekutohen pagat e muajit shtator për grevistët. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë.  Ndërkohë, njohësit e çështjeve ligjore, thonë se mos ekzekutimi i pagave për grevistet është në kundërshtim me ligjin.

Dilemës nëse do të ekzekutohen pagat apo jo të muajit shtator për grevistët, i ka dhënë përgjigje zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën ai ka thënë se për muajin shtator pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për Greva”, ka deklaruar Kryeziu.

Njohësi i çështjeve ligjore, Ehat Miftaraj, tha për Radio Kosovën, se mos ekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin dhe është persekutim ndaj grevistëve.

“Lirisht mund të konsiderohet si persekutim i qeverisë jo vetëm ndaj sindikatës, grevistëve e mësimdhënësve, por ndaj një të drejte të garantuar me Kushtetutë, që lidhet me lirinë e asocimit si dhe me atë që garanton ligji për të drejtën për grevë. Me vetë faktin që anëtarësia brenda vitit për sindikatë është rreth 700 mijë euro në vit, e bën në një farë mënyre të pamundur që sindikata të paguajë grevistët. Sigurisht që qeveria nuk mund të dalë jashtë qëllimit të ligjit, duke ua pezulluar apo mos ekzekutuar pagat grevistëve”, ka theksuar Miftaraj.

Ai tha se nëse nuk ekzekutohen pagat për grevistët, atëherë secili prej tyre ka të drejtë të paraqesë padi në gjykatë. 

“Grevistët dhe secili mësimdhënës, të cilit i mohohet apo nuk i del paga, ka të drejtë që t’i drejtohet Gjykatës e të bëjë padi. Nëse Gjykata e vendosë të drejtë, do të kompensonte jo vetëm të drejtën në pagë, por edhe shpenzimet shtesë për avokat dhe kamatën ligjore”, ka shtuar Miftaraj.

Ndërkohë, është konfirmuar që pagat për mësimdhënësit ende nuk kanë dalë. Kështu ka deklaruar edhe Sindikata e Arsimit. Sindikalistët kanë theksuar se nëse nuk ekzekutohen pagat deri më 5 tetor, atëherë do të ndërmarrin masa, duke iu drejtuar gjykatave. Pjesë e grevës ishin shërbyesit civilë dhe mësimdhënësit, ku një nga kërkesat e tyre ishte ndarja e 100 eurove shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

LAJMI I FUNDIT| Konfirmohet zyrtarisht se nuk ka paga për grevistët

Kosovare Gashi/ Radio Kosova
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të ekzekutohen pagat e muajit shtator për grevistët.

Në një prononcim për Radio Kosovën, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për Greva”, ka deklaruar Kryeziu.

Ndërkohë, nga SBASHK kanë thënë se do të presin deri me 5 tetor për ekzekutimin e pagave.


MË SHUME NGA Lajme