Rama në Kuvend: Sulmet kibernetike nuk e arritën qëllimin
Shqipëri

Rama në Kuvend: Sulmet kibernetike nuk e arritën qëllimin

ATSH

Kryeministri Edi Rama siguroi sot në Kuvend se sulmet kibernetike nuk e arritën qëllimin dhe asnjë gjë me vlerë nuk është marrë në infrastrukturën digjitale.

Rama replikoi me deputetët e opozitës lidhur me çështjen e sulmeve kibernetike që goditën Shqipërinë.

“Amerikanët, që i dinë ato punë, kanë nxjerrë një raport për sulmin dhe amerikanët që i dinë ato punë thonë që sulmi nuk e ka realizuar objektivin. Objektivi i sulmit, që ka qenë jashtëzakonisht i organizuar me 4 grupe, ndër të cilët njëri prej tyre në 10 të parët e listës së grupeve të terrorit kibernetik, nuk e ka realizuar qëllimin për ta shkatërruar infrastrukturën tonë digjitale dhe për t’i fshirë të gjitha të dhënat. Faktikisht sistemi është ringritur në një kohë shumë të shpejtë”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se asnjë gjë realisht sensitive nuk është marrë.

“Sulmi nuk ka asnjë lloj vlere në sensin e sensitivitetit, sepse ne kemi ende proces për digjitalizimin e një pjese të madhe të arkivave, që do të thotë se nuk ka gjëra me sensitivitet të veçantë në infrastrukturën digjitale. Arsyeja pse sulmi nuk e ka arritur qëllimin është pikërisht sepse ne kemi një nivel të caktuar mbrojtjeje”, tha ai.

Rama theksoi se me këtë që ka ndodhur do të përshpejtohet fuqizimi i mbrojtjes kibernetike.

“Ne kemi një infrastrukturë të tërë kritkike OST, OSHEE, KESH. Aty sulmi nuk ka pasur asnjë sukses, sepse aty mbrojtja është ngritur prej kohësh, duke pasur parasysh se aty është një zonë e funksionimit të infrastrukturës shtetërore që është realisht me probleme nëse ka një sulm kibernetik të këtij niveli”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sulmet kibernetike nuk ndodhin vetëm në Shqipëri.

“Sot që flasim, prej disa kohësh në shtetin fqinj në Maqedoninë e Veriut ka një Agjenci të tërë pagesash të Ministrisë së Bujqësisë se është marrë peng nga hakerët. Sulmet kibernetike janë një e përditshme. Ne jemi marrë me sulme kibernetike të vazhdueshme dhe nuk kemi pasur asnjëherë asnjë problem. Ky është një sulm i një niveli shumë të lartë, një agresiviteti shumë të lartë dhe nuk e ka realizuar qëllimin e tij. Mbase ju do të donit që realisht të kishte sjellë një hata, por nuk e ka sjellë, nuk na ka gjetur komplet të papërgatitur”, iu drejtua Rama deputetëve të opozitës.


MË SHUME NGA Shqipëri