Lista e publikuar nga hakerat iranianë, Rama: Fotomontazh, nuk është MEMEX
Shqipëri

Lista e publikuar nga hakerat iranianë, Rama: Fotomontazh, nuk është MEMEX

rtsh.al

Lista e publikuar nga hakerat iranianë nuk është MEMEX. Kështu theksoi kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit duke deklaruar se lista e publikuar është fotomontazh, një përgjigje kjo mbi praninë në të edhe të emrave të ministres Elisa Spiropali, ministrit Niko Peleshi dhe ish-ministres Mimi Kodheli.

Kryeministri theksoi edhe njëherë se asnjë sulm nga hakerat iranianë nuk ka mundur të depërtojë në sisteme.

“Mos bëhemi qesharakë që për çdo gjë që ndodh i japim një unikalitet sikur ndodh këtu. Sulmet kibernetike janë e përditshme. Ne jemi marrë vazhdimisht dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Ky ishte i një niveli të lartë por nuk e arriti qëllimin. Ju mbase do donit të na kishte gjetur të papërgatitur por nuk na ka gjetur. Kështu që mos u kuturisni në konkluzione qesharake dhe po ju them prapë që ai sulm nuk e ka realizuar qëllimin. Ajo historia si ajo lista sot, që flet për se çfarë terreni gjen në kanale dhe portale tona, plus edhe në politikën tonë, një grup që ka qëllime dashakeqe ndaj vendit, dhe me një listë të fotomontuar ku përzihen kriminelë me politikanë dhe gazetarë fut në vorbull një dynja që hedh dyshime, nuk ka më terren pjellor për veprim dashakeq ndaj vendit tonë sesa kanalet, portale dhe ju. Falë kësaj fuqie në tubacion llumi, mund të bëjë hajgare çdo gallataxhi se ngriheni në këmbë se cilat janë lidhjet me krimet duke bërë fotomontazhe, ajo që ka dalë nuk është MEMEX” tha Rama.

Hakerat iranianë pretendojnë se kanë publikuar databazën e sistemit policor MEMEX, me emrat e personave të dyshuar për krime të ndryshme në vend. Megjithatë, Policia ka reaguar duke përgënjeshtruar të dhënat, që sipas tyre nuk kishin lidhje me listat nga “MEMEX”. Sipas Policisë, sistemi MEMEX nuk është prekur dhe se të dhënat e publikuara nuk kanë asnjë lidhje me databezën e sistemit policor.

 


MË SHUME NGA Shqipëri