Rama: Eksportet në peshkim 130 milionë euro
Shqipëri

Rama: Eksportet në peshkim 130 milionë euro

ATSH

Kryeministri Edi Rama, në një takim me peshkatarët në Durrës, u shpreh sot se aktualisht jemi në shifrën e 130 milionë euro eksporte në industrinë e peshkimit, por ambicia është të arrihet tavani prej mbi 200 milionë euro.

Rama u shpreh se industria e rilindur e peshkimit mbetet një zë përvit e më i fuqishëm në eksportet shqiptare.

“Mund të thuhet me plot gojën se sot është një industri e rilindur, por potenciali është i jashtëzakonshëm. Më kujtohet kur kam ardhur për herë të parë. Ju atëherë i furnizonit anijet me naftë në Itali dhe ishit rreth 90% informal. Jo sepse donit të ishit informal, por sepse nuk kishte asnjë shans t’i mbijetonit formalizimit në ato kushte me burokraci dhe braktisje totale”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në atë kohë i gjithë volumi i punës së jashtëzakonshme dhe shumë të mundimshme torturuese për shumicën dërrmuese të peshkatarëve përkthehej në diçka mes 20-25 milionë euro eksporte, nga gjithë kjo vijë bregdetare.

“Sot ne jemi në shifrën e 130 milionë euro eksporte të vitit të kaluar, por ambicia është të bëjmë shumë më tepër. Ne duam që Shqipëria të shkoj në 1 miliard euro eksporte bujqësore, ku peshkimi, në këndvështrimin tonë duhet të kapë patjetër tavanin e 200 milionë euro dhe ta kaloj. Kjo është plotësisht e mundur”, shtoi Rama.

Kryeministri tha se “kjo kërkon që ne të lehtësojmë çdo lloj peshe në aspektin burokratik siç kemi bërë edhe falë faktit që kemi një dialog të vazhdueshëm me peshkatarët”.

“Faktikisht kemi arritur të funksionojmë si një komunitet midis ministrisë, jush dhe meje, që jam përfshirë në këtë përpjekje me shumë pasion dhe dëshirë. Kur ju kam takuar për herë të parë ishte e paimagjinueshme se sa të braktisur dhe shkatërruar ishit. Tani kemi lehtësimin e të gjitha peshave burokratike deri te certifikata absurde dhe lejet për të dalë në det”, tha Rama.


MË SHUME NGA Shqipëri