Zingraf: Gjermania, partner i besueshëm i Shqipërisë
Shqipëri

Zingraf: Gjermania, partner i besueshëm i Shqipërisë

ATSH

“Nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në në muajin korrik hap një rrugë të re të Shqipërisë drejt BE-së”, deklaroi ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf gjatë pritjes ceremoniale mbajtur në ambientet e Ambasadës gjermane, në kuadër të 32-vjetorit të ribashkimit më 3 tetor 1990, në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.

Ambasadori theksoi se kjo do të rezervojë disa sfida dhe do të kërkojë hapa të guximshëm.

Ai nënvizoi se Gjermania si pjesë e skuadrës së Evropës – BE dhe shtetet anëtare – mbetet në këtë kontekst një partner i besueshëm i Shqipërisë.

Në kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim, vijoi Zingraf, objektivi ynë mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës për njerëzit këtu dhe krijimi i mundësive pikërisht për të rinjtë.

“Rruga e mëtejshme e reformave dhe shpejtësia e bisedimeve të anëtarësimit, përmirësimi i kushteve të punës dhe jetesës janë në dorën e vetë institucioneve shqiptare dhe të të gjithë shoqërisë. Në këtë kuptim bisedimet e anëtarësimit do të duhet të jenë një instrument i transferimit të dijes dhe ekspertizës si dhe i zbatimit të reformave në rrugën drejt standardeve të BE-së. Po përdor këtu një formulim të qeverisë shqiptare duke i kërkuar, që ta shndërrojë këtë në prioritet absolut. Vijimi i reformave të nevojshme, veçanërisht në sektorët e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është kusht paraprak për këtë qëllim“, deklaroi ambasadori gjerman.

Gjithashtu, ambasadori u ndal edhe te javët e kulturës gjermane,”Tetori Gjerman“, ku u shpreh se “edhe këtë vit dëshirojmë t’u ofrojmë të gjithë miqve të kulturës një program të larmishëm. Motoja titullohet “Lichtblicke – Përndritje“. Veçanërisht nisur nga pamjet e tmerrshme të luftës kultura mund të ofrojë qëndresë dhe shpresë si dhe të hapë perspe-ktiva të reja”.

Duke u ndalur te festimet për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, Zingraf tha se “rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 ishte kumti i një epoke të re për Gjermaninë dhe Evropën, ndarja ishte kapërcyer, e tërë Evropa po ndryshonte, e po kështu edhe Shqipëria e izoluar nuk mund të qëndronte më gjatë e veçuar. Askush nuk e kishte paraparë, se sa shpejt do të vinin këto ndryshime. Por në retrospektivë mund të shquajmë disa zhvillime të rëndësishme paraprirëse, elementi lidhës i të cilave është fakti, që njerëzit dolën në rrugë për lirinë e tyre duke marrë përsipër rreziqet. Përmend këtu për shembull lëvizjen Solidarność dhe Tryezën e Rrumbullakët në Poloni, protestat demonstrative në RDGj, veç anërisht ato të tetorit të vitit 1989 në Lajpcig, si dhe dhe mijëra qytetarët e RDGj-së që u arratisën prej andej përmes ambasadave të Republikës Federale të Gjermanisë në Varshavë dhe Pragë”.

Ai shtoi se rënia e Perdes së Hekurt u duk se solli përfundimisht paqen në Evropë.

“Por luftrat e përgjakshme në ish-Jugosllavi na treguan se fantazmat e historisë vazhdonin të ishin aty. Republika e re Federale duhej të mësonte se për mbrojtjen e lirisë dhe pen-gimin e vrasjeve masive mund të jetë i nevojshëm edhe për-dorimi i armëve dhe ushtarëve jashtë vendit, gjë që pas mizori-ve të Luftës së Dytë Botërore kishte qenë tabu për shumë dekada. Dhe ja, këtë vit Evropën e përfshiu sërish lufta, sulmi bru-tal rus kundër Ukrainës na tregoi që për vlerat themelore, për lirinë, paqen dhe demokracinë duhet të luftojmë së bashku”, tha më tej diplomati gjerman.

Në këtë përpjekje të përbashkët, deklaroi ambasadori Zingraf,  Shqipëria ka dëshmuar të jetë një partner i mirë i Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe ka marrë përsipër përgjegjësi në mënyrë shembullore në Këshillin e Sigu-risë të Kombeve të Bashkuara.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle