Rama: Pagat e pedagogëve do ngritët për 7 për qind
Foto:ATSH
Shqipëri

Rama: Pagat e pedagogëve do ngritët për 7 për qind

Kryeministri Edi Rama deklaroi se për pedagogët do të ketë një rritje prej 7% të pagës, ndërsa pjesa tjetër do t’i lihet në vendimmarrje universiteteve, të cilat sipas tij, janë autonome.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Rama i ktheu përgjigje pedagogëve, të cilët janë në protestë për rritjen e pagës.

“Nuk jeni as ushtarakë, nuk jeni as nëpunës civilë, nuk jeni as pensionistë jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë apo pension fiks, ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme, midis mbështetjes shtetërore dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ia bën vetes rrogën edhe 2-fish, edhe 3-fish, edhe 4-fish, edhe 5-fish me fondet e tjera”, tha Rama.

Sipas tij, bëhet fjalë për fondet e vetëfinancimit, fondet evropiane dhe fondet e universiteteve të tjera private ku shkohet e bëhet mësim.

“Ne do të bëjmë një rritje pagash të mërkurën, kur është mbledhja e qeverisë prej 7%, por ama do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vet. Nuk mund të ketë një pagë për të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë njësoj. Universiteti është autonom. Zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme mes shtetit si mbështetës dhe tregut si ofertues”, tha Rama.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle