AVONET: Qeveria e Kosovës po ndëshkon padrejtësisht mësimdhënësit
BKT
Lajme

AVONET: Qeveria e Kosovës po ndëshkon padrejtësisht mësimdhënësit

V.Thaçi/RTKlive

Rrjeti i organizatave joqeveritare përmes një deklarate dërguar medieve, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po ndëshkon padrejtësisht mësimdhënësit, duke tentuar të krijojë një sistem ku askush nuk mund të grevojë e të shpreh pakënaqësi.

"AVONET ka përcjell me shqetësim gjendjen e krijuar me grevën e mësimdhënësve në Kosovë", thuhet në deklaratë.

Qasjen e krijuar nga Qeveria e Kosovës duke selektuar për pagë vetëm kategorinë e mësimdhënësve, AVONET e konsideron si tendencë të Qeverisë për të ndëshkuar këtë kategori pa të drejtë dhe kjo qasje e Qeverisë tashmë është shndërruar në luftë politike dhe jo zbatim të legjislacionit.

“Kjo Qeveri po mundohet që të krijojë një sistem ku askush nuk mund të grevojë dhe paraqet paralajmërim edhe për sindikatat tjera të punëtorëve, duke tentuar të krijojë një sistem ku askush nuk mund të shpreh pakënaqësi sepse pasojnë ndëshkimet”, thuhet tutje në deklaratën e AVONET.

Ky rrjet i organizatave më tej ka theksuar se ky veprim i Qeverisë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe për qëllim ka shtypjen e sindikatave, ku punëtorët nuk do të mund më t'i shprehin pakënaqësitë.

“E drejta për grevë është e drejtë e njeriut, është e drejtë e garantuar edhe me Konventa Ndërkombëtare dhe si e tillë nuk mund të mohohet”.

Tutje në deklaratë thuhet se qasja e Qeverisë për të mos i paguar mësimdhënësit e rëndon edhe më shumë gjendjen aktuale financiare dhe ekonomike të tyre, duke marrë parasysh rritjen e inflacionit dhe rritjen  e çmimeve të produkteve ushqimore.

“Mospagesa e mësimdhënësve ua bën të pamundur jetesën kësaj kategorie, duke marre parasysh se shumë familje të ardhur të vetme e kanë këtë rrogë mujore, poashtu shumica e tyre janë edhe në obligime nga kreditë dhe ka prej tyre që edhe mjekohen”.

Tutje AVONET thekson se 'përveç mohimit të pagës, kjo kategori tashmë qe një muaj është përballur edhe nga sulme dhe linqime të ndryshme, duke i ofenduar në masë ekstreme, madje edhe duke i quajtur analfabet dhe të paaftë, çka për AVONET konsiderohet e papranueshme'.

“Sot, me 5 tetor, në ditën ndërkombëtare të mësuesit, kjo Qeveri ua dha goditjen e fundit, duke mos i paguar ata”, vazhdon tutje deklarata e këtij rrjeti të organizatave.

Nga AVONET vlerësohet lartë kontributi i mësimdhënësve në çdo kohë, e duke rikujtuar që ata kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në formimin e shtetit të Kosovës, sepse, të njëjtit asnjëherë nuk u dorëzuan edhe në kohën e okupimit dhe të përndjekjeve ndaj tyre.

"Andaj, AVONET kërkon nga Qeveria e Kosovës të reflektojë dhe ta ekzekutojë pagesën për mësimdhënësit, duke ju rikujtuar se në bazë të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, konkretisht neni 17, ku janë të përcaktuara Kompetencat Vetanake, Komuna e ka përgjegjësinë për pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve të arsimit", thuhet në fund të deklaratës së AVONET.


MË SHUME NGA Lajme