Abdixhiku: Nuk ka më shpresë se kjo Qeveri mund të sjellë ndryshim
BKT
Lajme

Abdixhiku: Nuk ka më shpresë se kjo Qeveri mund të sjellë ndryshim

B. Halimi / RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u takua me strukturat partiake dhe qytetarë në Prizren, në kuadër të cikleve e debateve të këtij subjekti me qytetarët anembanë vendit me moton: “LDK ju dëgjon”.

Ai kritikoi Qeverinë për zero rezultate në çdo fushë. “Gjendja ekonomike është e padurueshme për shkak të mungesës së investimeve, mungesës së projekteve kapitale dhe paaftësisë së plotë të Qeverisë. Kemi rënie ekonomike dhe asnjë interesim të Qeverisë për të ndryshuar diçka në këtë drejtim. Inflacioni ka arritur në 20%, deficiti tregtar është rritur nga 3 në 5 miliardë euro dhe më shumë se 100.000 njerëz janë larguar nga vendi. Nuk ka më shpresë se kjo Qeveri mund të sjellë ndonjë ndryshim dhe fushata e tyre është zhgënjim i madh për qytetarët tanë. Qeveri e paaftë dhe e papërgjegjshme, e cila është në gjendje vetëm të prodhojë kriza të reja”, tha Abdixhiku.

Ai iu referua qasjes së re të LDK-së për të ndërtuar programin partiak dhe për të ofruar zgjidhje së bashku me qytetarët dhe strukturat e LDK-së.

Abdixhiku tha se LDK-ja është në mision për të rikthyer shpresën në vend dhe për të siguruar stabilitet. Sipas tij mbështetja partiake po rritet nga dita në ditë dhe se LDK-ja duhet të vazhdojë të dëgjojë aktivisht qytetarët dhe t'u përgjigjet nevojave të tyre, njofton ky subjekt politik.

“LDK ka qasje, energji dhe strategji të re. Jemi në një mision unifikues për të rikthyer shpresën në vend. Kosova ka nevojë për stabilitet, prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Qytetarët tanë kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre. LDK po ndërton program me një ekip të jashtëzakonshëm dhe po ofron një platformë që do ta çojë Kosovën në rrugën e progresit dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë”, u shpreh tutje i pari i LDK-së.

Ai theksoi se LDK-ja duhet të qëndrojë pranë qytetarëve duke qenë zëri i vërtetë i atyre që kanë nevojë, për të luftuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin kundër Qeverisë e cila nuk funksionon në interes të qytetarëve.


MË SHUME NGA Lajme