Kujtim Shala për RTKlive: Kemi potencial, pres më shumë nga `Dardanët`
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Ish-futbollisti i njohur kosovar, Kujtim Shala në një intervistë për RTKlive, ka thënë se Kombëtarja e Kosovës ka potencial të madh.
Ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Prishtinës, Partizanit të Beogradit, Dinamos së Zagrebit, Fortuan Duseldorf (Gjermani) dhe Stade Rennes (Francë), thotë se është i entuziazmuar me paraqitjet e ‘Dardanëve’ në garat ndërkombëtare, por jo edhe me rezultatet.
Kosova pak ditë më parë mbylli garat në Ligën e Kombeve në pozitën e dytë në Grupin C, derisa pas pak ditësh do të mësojë kundërshtarët e kualifikuesve për Evropianin 2024.
“Në përgjithësi duhet të jem të kënaqur me paraqitjet e Kosovës, por jo edhe me rezultatet”, ka thënë Shala për RTKLive.
“Kombëtarja e Kosovës ka potencial të madh dhe për këtë arsye presë më tepër nga djemtë e Kosovës”, ka theksuar Shala.
Ai ka folur për futbollin e Kosovës, edhe pse Shala thotë se nuk është i kyçur në futbollin e Kosovës.
Shala është i lumtur që skuadrat kosovare tashmë po luajnë në garat evropiane.
“Nuk jam i kyçur në futbollin kosovar dhe nuk mund të flas shumë për zhvillimin e futbollit të Kosovës. Por më vjen mirë që skuadrat kosovare tashmë po luajnë në Evropë”, pohoi Shala.























