Krejt çfarë pritet të ndodhë sot në samitin që mbahet në Pragë
Jeton Musliu/RTKlive
Shumë takime mes liderëve të 44 vendeve pjesëmarrëse të Evropës, pritët të mbahen sot në Pragë, në kuadër të takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian.
Përveç Rusisë dhe Bjellorusisë që nuk janë ftuar në këtë samit, për shkak të luftës në Ukrainë, vendet e tjera përfaqësohen në nivel të presidentëve ose kryeministrave.
Kosova në këtë ngjarje të rëndësishme, përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.
Bazuar në agjendën zyrtare të publikuar, nga ora 12:00 deri në orën 13:00, pritët që të mbërrijnë delegacionet pjesëmarrëse.
Në orën 13:00 deri në orën 14:00, hapet sesioni plenar.
Më pas, nga ora 14:00 deri në orën 16:00, liderët e vendeve pjesëmarrëse do të mbajnë takime dypalëshe për të diskutuar mbi energjinë, sigurinë, çështjet ekonomike dhe klimën.
Punimet në tërësi për ditën e sotme pritet të përfundojnë në orën 19:30 kurse më vonë, do të mbahet një konferencë për media.
Komuniteti Politik Evropian nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë një të re.
Nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit.
Në thelb është një platformë e re për liderët evropianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit për të diskutuar për çështjet kryesore.























