Rama: Shpresoj që herën tjetër të mos na mbledhin krizat
Foto: RTSH
Shqipëri

Rama: Shpresoj që herën tjetër të mos na mbledhin krizat

RTSH

Kryeministri Edi Rama e cilësoi mbledhjen e Komunitetit Politik Europian, si një ide të vjetër, por që po vihet në zbatim në kohë krize. Nga Praga ku ndodhet për mbledhjen e parë të Komunitetit Politik Europian, Rama tha se shpreson që të mos ketë një tjetër krizë për të pasur një mbledhje të radhës mes liderëve botërorë.

“Sigurisht që nuk është një ide e re, është një ide e shumë e vjetër, por e rilindur në kohë krizash dhe shpresoj që nuk do të kemi kriza të tjera tek të cilat mos të na duhet të bëjmë mbledhje të tilla si kjo, por nga kjo mbledhje ne do të vazhdojmë dhe do të ndërtojmë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë komunitetin dhe njerëzit europian”, tha Rama.

I pyetur nëse Shqipëria përfiton nga Komiteti Politik Evropian për Shqipërinë, Rama tha se vendi i tij, është pjese e Europës edhe pse jo ende pjesë e BE

“Shqipëria është pjesë e rajonit të Ballkanit perëndimor, e rrethuar nga vendet e Bashkimit Evropian, si një e tërë dhe për ne, është absolutisht vendimtare, që edhe pse nuk jemi ende në BE, ne jemi evropianë”, tha Rama.

Rama theksoi se Komuniteti Politik Europian duhet të orientohet nga përparësitë që i prekin të gjithë, përfshirë luftën në Ukrainë, varësinë energjetike dhe sigurinë ushqimore.

Rama do të jetë një nga 5 liderët që do të flasë gjatë mbledhjes së Komunitetit Politik Europian, propozim i Presidentit francez Emmanuel Macron.

Kriza energjetike, siguria kibernetike dhe situata ekonomike do të jenë disa nga çështjet që do të diskutohen në këtë takim, ku pritet të marrin pjesë 27 shtetet anëtare të BE, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia, vendet e Ballkanit Perëndimor, Islanda, Lihtenshtajnin, Moldavinë, Gjeorgjinë, Armeninë dhe Azerbajxhanin.

Komuniteti Politik Evropian synon të nxisë dialogun politik dhe bashkëpunimin për të adresuar çështjet me interes të përbashkët të forcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.

 

 
 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle