Xhaçka: Po punojmë me NATO-n dhe BE-në për ta ngritur mbrojtjen kibernetike
Shqipëri

Xhaçka: Po punojmë me NATO-n dhe BE-në për ta ngritur mbrojtjen kibernetike

ATSH

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, konfirmoi sot në Kuvend se në bashkëpunim me aleatët ka nisur tashmë puna për projekte konkrete, që do ta çojnë mbrojtjen kibernetike në një nivel komplet tjetër.

Në fjalën e mbajtur në seancë plenare, Xhaçka foli mbi sulmet kibernetike që goditën vendin tonë, ndërsa vlerësoi reagimet solidare dhe mbështetëse që kanë ardhur nga aleatët.

“Dëgjova të thuhet se janë hedhur dëm me miliona euro nga qeveria dhe se nuk kemi kapacitete mbrojtëse. Ne nuk kemi pasur dëme nga këto sulme kibernetike. Sulme të tilla ndodhin edhe në SHBA dhe vendet e BE-së dhe nuk është gjithnjë e mundur të parandalohen, se e tillë është natyra e hapësirës kibernetike”, tha ajo.

Xhaçka shtoi se gjithmonë hakerët do të tentojnë të gjejnë dobësinë e sistemeve, ndaj detyra e vendeve si yni është të investojnë për mbrojtjen kibenetike.

“Rezultati dhe fati i sistemeve tona do të ishte në kolaps nëse nuk do të kishim investuar edhe aq sa kemi investuar për mbrojtjen kibernetike. Synohej grabitja e të dhënave shtetërore, por sistemet tona rezistuan dhe sot janë tërësisht funksionale. Mbrojtja jonë kibernetike rezultoi që ishte aq efikase sa ishte, pavarësisht sulmit masiv”, tha ministrja.

Por, Xhaçka nënvizoi nevojën për të bërë shumë më tepër në këtë drejtim.

“Po punojmë me NATO-n dhe BE-në për ta ngritur mbrojtjen kibernetike akoma më të fortë për të gjitha sistemet tona dhe për të forcuar kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore. Si vend anëtar i NATO-s ka nisur tashmë puna për projekte konkrete që do të çojnë mbrojtjen kibernetike në një nivel komplet tjetër. Ky është moment delikat që thërret për bashkim, Ky ishte një agresion i paprovokuar që synonte të cenonte sigurinë kombëtare. Në vend që të hidhni akuza e baltë duhet të japim tek agresori imazhin e një klase politike dhe një shoqërie të bashkuar. Pavarësisht këtij sulmi kibernetik të paprovokuar, vendi ynë do të punojë me forcë duke rritur imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shtoi ministrja.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle