Përkrahja institucionale shumë e rëndësishme në zhvillimin e basketbollit
Fatmir Bytyqi /RTKlive
(E plotësuar) Takimi i fundit i Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, Andreas Zagklis në Kosovë ishte me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ai në këtë takim së bashku me drejtuesit e lartë të FBK-së, Kryetarin Arben Fetahu, Sekretaren e Përgjithshme Elvira Dushku dhe anëtarin e Bordit Valton Bilalli kanë kërkuar ndihmë për zhvillimin e basketbollit në Kosovë, gjegjësisht lojës 3x3 dhe masivizimit të këtij sporti, edukimin e trajnerëve, si dhe projekteve nga FBK.
Gjatë takimit është konfirmuar bashkëpunimi i ngushtë mes FBK-së dhe MKRS-së, ku kjo e fundit e përkrah në projekte të ndryshme dhe do të jetë një krahë i fortë edhe për të ardhmen.
Ministrit të Sportit i është dhuruar një dhuratë, si dhe një fanellë e Përfaqësueses së Kosovës me numër 1, ndërsa pas takimit është organizuar edhe një konferencë për media.
Ministri Çeku ka potencuar punën e mirë që po e bën FBK-ja me masivizimin e basketbollit dhe natyrisht që meritojnë përkrahje në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.
Ndërkohë, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka shtuar se, FIBA, i ka dhënë përkrahje në nivel global, ndërsa “edhe pse jemi pranuar vonë, jemi shumë lartë me renditje me punën që kemi bërë, ndërsa ka shumë projekte, ku presim ndihmë edhe nga MKRS”.
Andreas Zagklis ka theksuar se basketbolli, gjegjësisht FBK-ja ka nevojë për ndihmë institucionale për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë dhe duhet shikuar mënyra se si të përkrahen këto projekte, që janë shumë të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin e basketbollit në Kosovë.
Kërkohet mbështetje për infrastrukturën sportive
(E plotësuar) Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis, sot së bashku me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Kryetarin Arben Fetahu, Sekretaren e Përgjithshme Elvira Dushku dhe anëtarin e Bordit Valon Bilalli, janë takuar me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, Drejtorin e Sportit, Granit Rugovën, Shefin e Kabinetit, Vllazim Osmani dhe Këshilltaren e Kryetarit, Ermira Gjevori Hatipi.
Gjatë takimit është diskutuar për ndihmën që mundet të japë Komuna e Prishtinës për FBK-në, gjegjësisht infrastrukturën sportive.
Në takim është biseduar se, vendi ynë ka nevojë për një palestër të madhe sportive për organizimin e ngjarjeve madhore evropiane, si dhe ato ndihmëse, ku do të mund të aktivizohen gjeneratat e reja dhe fëmijët.
FBK ka organizuar disa Kampionate Evropiane deri më tani dhe është shquar për organizimin e tyre, duke qenë shembull për shumë vende të tjera.
Në takim është konfirmuar bashkëpunimi i ngushtë mes FBK-së dhe Komunës së Prishtinës dhe FIBA-s.
Në fund të takimit, Andreas Zagklis i ka dhuruar Ramës fanellën me numër 1 të Përfaqësueses së Kosovës dhe një dhuratë për të parin e të kryeqytetit të Kosovës, që i dhuroi Hyjneshën në Fron, që simbolizon qytetin e Prishtinës.
Zagklis në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, kjo është agjenda
(E plotësuar) Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, sot do të zhvillojë disa takime të rëndësishme.
Numri një i botës në basketboll, do të këtë takim me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, takim ky që do të mbahet në orën 11:00.
Më pas Zagklis do të takohet edhe më kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.























