Kurti: TIK-u një nga sektorët e paktë që ka një bilanc tregtar pozitiv
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Në konferencën më të madhe në rajon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), Kryeministri Albin Kurti, vlerësoi rolin e KOSICT në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik, privat dhe akademisë, nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Në këtë festival të teknologjisë, kryeministri tha se TIK-u është një nga sektorët e paktë në të cilin vendi ka një bilanc tregtar pozitiv.
Kreu qeveritar në fjalën e tij tha se nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Smart Specialization Strategy e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë e Kosovës që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion.
Ai foli për angazhimin e Qeverisë, në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit kombëtar të inovacionit.

Po ashtu, veçoi mbështetjen për përfundimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, i cili do të ofrojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.
“Zbatimi i transformimit digjital, garantimi i sigurisë kibernetike, zhvillimi i profesionistëve të aftë dhe ndërtimi i ekosistemit të inovacionit, secili prej këtyre objektivave kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik dhe privat”, tha Kryeministri Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se qeveria është e hapur, e gatshme dhe e interesuar për të bashkëpunuar me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit.
“Ne duam t'i bëjmë shërbimet tona në cilësi më të mirë, zyrtarët publikë më transparentë, por në të njëjtën kohë, të rrisim llogaridhënien në të gjithë sektorët e qeverisjes, si në atë publik ashtu edhe në atë privat”.
Ka treguar se javën e kaluar, Qeveria miratoi “Strategjinë e Arsimit 2022-2026” e cila sipas tij ofron një udhërrëfyes gjithëpërfshirës për reformimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet.
“Buxheti i planifikuar i reformës së paraqitur nga strategjia e arsimit është rreth 333 milionë euro, 82% më i lartë se buxheti i mëparshëm.
“Ecja përpara me digjitalizimin në të gjitha fushat e qeverisjes kërkon gjithashtu një fokus më të madh në forcimin e sigurisë kibernetike”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se muajin e kaluar qeveria miratoi Ligjin për sigurinë kibernetike, i cili krijon bazën ligjore për krijimin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike.
Ndërkohë, tha se po punohet edhe për ndryshimin e Kodit Penal, duke përfshirë në këtë Kod të gjitha veprat penale përkatëse që lidhen me krimin kibernetik.























