Fotolajm, Rama me Macron: Kundër s’ka, miratohet
Lifestyle

Fotolajm, Rama me Macron: Kundër s’ka, miratohet

ATSH

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një tjetër fotografi nga takimi i djeshëm në Pragë i Komunitetit Politik Evropian, ku u diskutua për ekonominë, sigurinë dhe situatën energjetike.

“Kundër s’ka, miratohet”, shkruan Rama ndërsa në foto shihet Presidenti i Francës, Emmanuel Macron me gishtin e ngritur lart, si shenjë miratimi.

Kjo foto ishte në fokus të veçantë që prestigjiozja “Associated Press” zgjodhi të publikonte për të treguar të gjithë takimin e mbajtur dje në Pragë. “Presidenti i Francës Emmanuel Macron, në qendër, i bën shenjë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i dyti djathtas, në një foto grupi gjatë EPC në Kështjellën e Pragës, Republika Çeke, të enjten, 6 tetor 2022″, shkruhet në diçiturën e fotos.

Kryeministri Rama vlerësoi dje rëndësinë e Evropës si komunitet, teksa u shpreh se, “ideja e komunitetit është një ide e vjetër, ndoshta dhe sa vetë Europa”.

Kryeministri tha se është e rëndësishme që është lancuar një format i ri bazuar në një ide që nuk është e re, por është ide e cila ka hasur gjithmonë në situata apo pengesa që nuk e kanë lënë të zhvillohet.

Ai shprehu besimin se projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe të konsolidohet më tutje.

“Frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një Komunitet Politik Europian ashtu siç ka qenë një forcë goxha penguese në momente të caktuara për të gjitha formatet, përfshirë dhe vetë Bashkimin Europian. Por në një situatë si kjo, Europa është në pikën ku për të parashikuar të ardhmen, duhet ta krijojë”, tha Rama.

Po ashtu, Rama shprehu besimin se “me këtë format jemi në një tjetër hapësirë të integruar dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që Shqipëria ka komplet një zë tjetër dhe një peshë tjetër sepse e përfaqëson më së miri një pjesë të Europës që nuk është në Europën e Bashkuar, por që mbetet Europë”.

Në takimin e djeshëm në Pragë morën pjesë krerët e shteteve nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet evropiane, Turqia, Britania e Madhe, Ukraina, Azerbajxhani, Armenia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Zvicra, Islanda, Lihtenshtajni, Moldavia dhe Gjeorgjia.

Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi në maj krijimin e Bashkësisë Politike Evropiane, me pjesëmarrjen e vendeve të BE-së dhe fqinjëve, për të adresuar sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë.


MË SHUME NGA Lifestyle