Analistët për RTKlive tregojnë gjasat e Kosovës për kualifikim në EURO 2024
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Kombëtarja e Kosovës në futboll, tashmë ka mësuar rivalët për kualifikueset e Evropianit 2024.
‘Dardanët’ janë përfshirë në Grupin I, duke iu shmangur top-gjigantëve të futbollit evropian, teksa në grup do ta ketë Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Analistët e futbollit tonë, mendojnë se gjasat e Kombëtares sonë për kualifikim në Evropianin 2024 që do të mbahet në Gjermani, janë mjaft të mira.
Analisti i futbollit tonë, Arsim Prepolli në një prononcim për RTKlive.com, ka thënë se grupi ku ndodhet Kosova është i arsyeshëm dhe i kalueshëm. Sipas tij, të paktën vendi i dytë është i kapshëm.
“Gjasat janë shumë të mira. Përveç që jemi në një grup që është i arsyeshme dhe i kalues, ne kemi kualitet dhe mundemi të paktën të kapim vendin e dytë në grup. Nëse nuk shkojmë në Evropian do të ishte mos sukses”, ka thënë Prepolli.
Të arsyeshëm dhe kalues grupin e Kosovës, e mendon edhe Arbnor Morina, një tjetër analist i futbollit tonë.
Sipas strategut prishtinas, thotë se është një grup interesant. Morina thekson se Zvicra është kombëtare e fuqishme me lojtarë që luajnë në klube të mëdha evropiane, por sipas Morinës, edhe Izraeli ka skuadër kompakte.
“Grup interesant. Izraeli është pa emra të mëdhenj, por me ekip kompakt. Rumunët me gjeneratë të përtërirë, por kualitative dhe me lojë të shpejtë. Bjellorusët që nuk janë në nivel të lartë, por fizikisht qëndrojnë mirë. Zvicra e fuqishme dhe më shume eksperiencë ndërkombëtare me futbollistë që luajnë në klube të mëdha evropiane”, ka thënë Morina për RTKlive.
Kombëtarja jonë aventurën për kualifikueset e EURO 2024, e nisi me 25 mars në udhëtim tek Izraeli.























