Ibrahimaj: Papunësia u ul në 11.3%, punësimi u rrit me rreth 4.3%
BKT
Shqipëri

Ibrahimaj: Papunësia u ul në 11.3%, punësimi u rrit me rreth 4.3%

ATSH

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha sot se papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit u ul më tej në 11.3%.

Ndërkohë, theksoi ajo, punësimi u rrit me rreth 4.3% nga viti në vit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN-së Yan Sun si dhe Guvernatorin Gent Sejko, ministrja Ibrahimaj theksoi se ekonomia e vendit ka vijuar performancën e saj pozitive, pavarësisht ndikimit negativ që ka pasur agresioni rus në Ukrainë, shoqëruar me një rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në vendin tonë.

Kjo ecuri pozitive e ekonomisë, tha Ibrahimaj, është mbështetur edhe nga politikat e ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë pasur si qëllim mbështetjen e shtresave më në nevojë, ruajtjen e nivelit të konsumit dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të investimeve.

Këtu, ajo përmendi alokimin e paketave të ndryshme të ndihmës sociale për pjesët e shoqërisë më në nevojë, alokimin e fondeve për mbështetjen e sektorit energjetik për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjarë ashtu edhe për bizneset e vogla, si dhe alokimin e fondeve për kompensimin pjesërisht të rritjeve në kostot kryesore për punimet e investimeve publike, etj.

Ibrahimaj u shpreh se, në rishikimet e buxhetit 2022 janë krijuar hapësira fiskale për të akomoduar elementë të ndryshëm për të zbutur ndikimin e krizës për aspekte të ndryshme sociale dhe ekonomike.

“Situata deri më tani është plotësisht nën kontroll dhe ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar në vazhdimësi dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin dhe për të përgatitur skenarë alternativë përshtatjeje përpara se ato të ndodhin. Gjatë periudhës janar-gusht, të ardhurat buxhetore janë rritur me rreth 16% krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 0.4% kundrejt planit. Sigurisht, një pjesë e kësaj performance të tillë të lartë të të ardhurave i atribuohet efektit të rritjes së përgjithshme të çmimeve. Megjithatë, si rritja relativisht e fortë ekonomike, ashtu edhe përmirësimet administrative në mbledhjen e taksave kanë qenë gjithashtu faktorë të rëndësishëm përcaktues të performancës së të ardhurave. Deri më tani, buxheti vazhdon të operojë me një suficit të përgjithshëm fiskal dhe stoku i likuiditetit të qeverisë është mjaft i bollshëm dhe mjaftueshëm për të vazhduar një ekzekutim krejt normal të buxhetit të këtij viti, si dhe të vitit të ardhshëm, dhe kjo jo vetëm në skenarin tonë bazë por edhe në rastet e ndodhjes së skenarëve pesimistë afat-shkurtër”, tha ministrja. 


MË SHUME NGA Shqipëri