Rama: Hapje e Akademisë së Shkencave, e munguar për shumë vite
ATSH
Kryeministri Edi Rama apeloi sot që të lihen anësitë jashtë perimetri të shkencës dhe kërkimit shkencor, pasi brenda këtij perimetri mbrohet e shkuara, historia, gjuha, kultura, por edhe garantohet e ardhmja.
Në ceremoninë e organizuar në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave, Rama tha se “sot Akademia nga një vend i pashpresë i përshpirtjes, ku mesa më kujtohet mbledhjet më të rëndësishme ishin ato për t’i dhënë lamtumirën ndonjërit që ikte në botën tjetër, është kthyer në një hapësirë ku po mbillen fidanët e të nesërmes”.
“Faktikisht sot ka një hapje të munguar për shumë vite, jo vetëm për të krijuar kushtet që akademikët e këtij vendi, pavarësisht bindjeve, simpative, rreshtimeve të tyre nën çatinë e Akademisë të ndihen pjesë e së njëjtës mënjanësi siç ndiheshin dhe siç silleshin ata të kohës së anësisë ekstreme, por edhe për akademikët shqiptarë të një gjenerate tjetër, të gjeneratës së emigracionit, akademikët shqiptarë që bëjnë sukses mbresëlënës nëpër botë edhe që deri kur reforma e 2019 mori udhë, ishin tërësisht të harruar dhe të braktisur sikur nuk ekzistonin”, tha ai.
Kryeministri tha se “para pak ditësh u mbajt në Tiranë një kongres i dytë ndërkombëtar i nanoteknologjisë, diçka e pakonceptueshme vetëm pak vite më parë, diçka e paimagjinueshme para reformës së 2019 me pjesëmarrjen e instituteve prestigjioze të teknologjisë nga 25 shtete në një diskutim i cili bëhej në Shqipëri, por që nuk e linte jashtë shkencën dhe nuk i linte jashtë shkencëtarët shqiptar, jo thjesht si mikpritës, por edhe si pjesë e respektuar e atij komuniteti”.
Por sipas tij, “ne sot jemi shumë larg asaj që mund të ishim në rast se do ishte garantuar vijimësia e Akademisë së Shkencave dhe në rast se mes të djeshmes dhe të sotmes, ose më saktë të aktualitetit në të cilit flasim, nuk do të kishte hyrë në mes një e sotme ku vulgu i politikës dhe kryengritja e injorantëve nuk do të kishin bërë gjithë atë kasaphanë që bën me gjithë rrjetin e dijes dhe me gjithë infrastrukturën e atij rrjeti të dijes”.
“Dikur Akademia e Shkencave ishte vendi ku garantoheshin studime dhe projekte me një rëndësi madhore në të gjitha fushat e zhvillimit. Nuk është më sot, sepse nuk u lejua të jetë dhe ndërkohë që është fakt, se ne jo vetëm që nuk patëm vëmendjen dhe mirësinë në gjithë këto dekada të mendojmë realisht për vijimësinë, jo vetëm goditëm me themeli gjithë ngrehinën e shkencës dhe vatrën e saj kryesore, Akademinë e Shkencave, por mbetëm tërësisht jashtë rrugëve të ndërveprimit dhe bashkëpunimit me Europën për të cilën flasim përditë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “aksesi i Shqipërisë përmes universiteteve dhe natyrisht në mungesë të Akademisë në të gjithë vitet e shkuara në programin “Horizon 2020” ishte 8%”.
“Shqipëria ka marrë 8 %, vetëm 8% financim të asaj që mund të merrte. Sot jemi në vitin e parë të programit të ri dhe sot jemi 38% në vitin e parë. Universitetet kanë marrë, bota akademike ka marrë për kërkimin shkencor falë ndërveprimit dhe falë edhe fillimit të një lëvizje në drejtimin e duhur, ku natyrisht lidershipi i Akademisë së Shkencave ka rolin e vet, 2.1 milionë euro, që sipas gjithë parashikimeve më modeste mund të jenë 20 milionë pa asnjë frikë në 7-vjeçarin e programit dhe mund të bëhen edhe më shumë. Mund të bëhen edhe më shumë nëse ne do të dimë të bashkohemi mënjanësisht për shkencën dhe kërkimin shkencor dhe t’i lëmë anësitë jashtë perimetri të shkencës dhe kërkimit shkencor, ku ka kaq shumë territor për t’u kacafytur sepse brenda këtij perimetri jo vetëm mbrohet e shkuara, jo vetëm mbrohet historia, jo vetëm mbrohet gjuha, jo vetëm mbrohet kultura, jo vetëm mbrohet etnosi ynë, por edhe garantohet e ardhmja. Një e ardhme që shkon shumë përtej të ardhmes që mund të garantojë politika, që mund të garantojnë partitë, që mund të garantojnë qeveritë në faza të caktuara të marrjes së përgjegjësisë prej tyre”, tha ai.
“Sot ne jemi në kushtet kur mund të shtyjmë falë edhe pozicionit të ri që kemi në kontekstin europian si vend që në komunitetin e ri politik evropian, shkenca dhe arsimi, duke filluar nga arsimi i lartë të mos presin integrimin e plotë europian të vendit tonë apo të vendeve të tjera të rajonit, por të bëhen sot pjesë e perimetrit, ta bëjnë sot pjesë të tyre dhe perimetrin e shkencës dhe të arsimit të lartë shqiptar. Për këtë kemi nevojë, nga njëra anë të shtyjmë më fort në nivelin evropian ne, qeveria, por nga ana tjetër kemi nevojë të japim shembuj dhe sot kemi një shembull domethënës”, vijoi ai.
Rama shtoi se “deri dje pedagogët e përfshirë në kërkimin shkencor me fonde europiane në Universitetin e Tiranës ishin afro 50 vetë, sot ka kaluar 400, gjë që natyrisht rrit dhe të ardhurat e tyre, por mbi të gjitha krijon shembullin që ne jemi pjesë dhe tregon se ne dimë”.
“Çështja është si ne këtë dije ta ekspozojmë për shoqërinë dhe ta kthejmë nga një dije individësh në një dije të një komuniteti akademik i cili i shërben vendit duke qëndruar mënjanë nga rrjedhat e turbullta të zhvillimeve kaotike të së përditshmes së vendit. Shumë njerëz thonë, “ne kemi ujë, ne kemi diellin, ne kemi naftë, ne kemi minerale, ne kemi pyje, ne kemi male, ne duhet të jemi si Zvicra sepse jemi shumë të pasur”. Mirëpo vendet nuk dallohen nga ato që kanë, dallohen nga ajo që dinë. Zvicra nuk ka sa ne, por Zvicra di më shumë më tepër se ne dhe kështu nëse ne shohim investimet në dije, investimet në shkencë krahasuar me të ardhurat, do të shohim diçka shumë të thjeshtë. Sa më shumë është investuar në dije dhe në shkencë, aq më shumë janë rritur edhe të ardhurat. Izraeli nuk ka ujë, por është vendi numër një në planet për ujin, ka ekselencën e furnizimit me ujë pa pasur ujë fare, sepse ka dijen. Ne kemi ujë më shumë se sa të gjithë pas Norvegjisë dhe problemin kryesor ne sot kemi ujin në të gjitha aspektet. Ende. Pse? Për shkak të një trashëgimie të egër si rezultat i padijes”, tha ai.























