Ukrainasit i kërkojnë botës ta shpallin Rusinë shtet terrorist
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Në emisionin “Info Plus” në RTK deputetja e parlamentit ukrainas, Solomia Bobrovska dhe aktivisti i shoqërisë civile, Prokhor Kazbekov kanë rrëfyer përjetimet e tyre të orëve të fundit pas bombardimeve të Rusisë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Të dy i kanë bërë thirrje botës që Rusinë ta shpallin shtet terrorist e jo vetëm sponsorizuese e terrorizmit derisa kanë kërkuar më shumë armatim për shtetin e tyre që prej 7 muajsh po përballet me luftën e paprovokuar të Rusisë.
Vetëm pak metra e ndanin deputeten ukrainase, Solomia Bobrovska nga vendi ku Rusia herët në mëngjes hodhi granata në Kiev, si hakmarrje ndaj shpërthimit të urës së vetme që lidhte Krimenë e pushtuar me Rusinë.
Për të sërish u kthye 24 shkurti dita e parë kur me vendim të Putinit nisën sulmet mbi Ukrainën.
“Unë jam mirë, jemi duke i mbijetuar granatimet e mëdha që kanë gjuajtur shumë pak metra larg meje. Ajo që kemi dëgjuar është se do të ketë ende granatime që do të ndodhin në ditët në vijim”, tha ajo gjatë rrëfimit të saj në RTK.
Deputetja, dëshmitare e luftës tha se shumë njerëz janë strehuar në stacione të metrove për të shpëtuar, por tha të jenë të përgatitur për atë që po i pret edhe në ditët në vazhdim.
Pavarësisht sulmeve, jeta ka vijuar normalisht dhe njerëzit ka treguar ajo kanë shkuar në punë, nxënësit nëpër sholla e fëmijët në çerdhe, dhe kështu tha se po përpiqen ta bëjnë jetën normale.
Tutje ka treguar se po sulmohen edhe objektet energjetike dhe ka shumë vende që kanë mbetur në terr.
“Tani po sulmohen objektet energjetike edhe në Kiev e në shumë vende të tjera. Janë disa objekte energjetike që janë paaftësuar e shumë rajone pa energji elektrike. Jemi paralajmëruar se para dimrit rusët do të fillojë të godasin këto objekte infrastrukturore”, tha tutje ajo.
Këtë intervistë për Televizionin Publik, deputetja ukrainase e dha nga banesa e saj meqë tregoi se u është kërkuar që të mos i frekuentojnë institucionet shtetërore për shkak të rrezikut për sulme. Por, pavarësisht distancës fizike që kanë aktualisht, kërkesën e kanë të përbashkët karshi botës demokratike që thonë se Rusinë duhet ta shpallin shtet terrorist.

“Patëm një deklaratë nga parlamentarët për të kërkuar shpalljen e Rusisë si shtet terrorist, jo vetëm sponsor i terrorizmit, kjo do të ndihmonte ta izolonte Rusinë nga e gjithë bota demokratike dhe ne këtë e duam. Së dyti, kërkojmë armatime dhe sisteme raketore ajrore me rreze të gjatë dhe të mbyllet qielli”, deklaroi Bobrovska.
Ajo përmendi kërkesat e partnerëve ndërkombëtar që duan zgjidhje paqësore mes palëve dhe tentativën e Ankarasë zyrtarë që të organizojë një tryezë të rrumbullakët me të gjitha palët, por tha se mëngjesi i kësaj të hëne tregoi se kjo është e pamundur dhe nuk mund të gjendet zgjidhje tjetër, pos asaj në vijë të frontit.
Edhe aktivisti i shoqërisë civile Prokhor Kazbekov, ka drejtuar kërkesat e njëjta për botën.
Ai për RTK ka rrëfyer për përjetimet nga granatimet ruse afër vendit ku jeton aktualisht, derisa familjen e ka po ashtu në një vend ku po granatohet fuqishëm, Zaporizhia.

“Ka qenë një granatim në shumë pjesë të Ukrainës e në zona të ndryshme të Kievit. Disa të tilla kanë rënë afër banesës ku po qëndroj aktualisht. Kemi shkuar shpejtë tek stacioni i metrosë për ta përdorur si strehimor atje ku ka pasur shumë njerëz. Për disa orë sistemi i metrosë është ndalur krejtësisht për t’u dhënë kështu strehë shumë njerëzve”, tha ai për emisionin “Info Plus” në RTK.
Për aktivistin ukrainas u përsërit 24 shkurti, por ndryshe nga atëherë tash tha se nuk janë të frikësuar, ndonëse janë të lodhur sepse e dinë që këto bombardime do të ndalen dikur dhe Rusia do të dështojë.
“Jemi të gatshëm edhe për ditët në vijim sepse kemi raportime se priten granatime të tjera, raketa që do t’i përdorin edhe ato që nisen nga uji, ato tokë-tokë e kështu me radhe dhe makineri të tjera, pra do të jetë e rrezikshme, por jemi të përgatitur e të gatshëm të qëndrojmë”, tha ai.
Kazbekov tha se janë bërë shumë muaj luftë, e ajo që më së shumti i nevojitet shtetit të tij për t’u përballur me Rusinë është armatimi.
Kundërsulmet e ushtrisë ukrainase janë bërë të mundura vetëm për shkak të furnizimeve të fuqishme të armatimit perëndimor, por na duhet edhe më shumë. Ajo që po kërkojmë të gjithë, edhe qeveria jonë po kërkon sisteme mobile raketore, por me rreze të gjatë që të mund të arrijë në pikat më të largëta të bazave ushtarake ruse”, tha tutje ai.
Ndërkohë kërkesë e vazhdueshme tha të jetë shpallja e Rusisë shtet terrorist.
“E shohim për çdo ditë që ka objekte të reja që granatohen e shumë civil që vdesin për çdo ditë. Pra nuk mund të them që bota po bën mjaftueshëm. Gjithsesi, ne e ndiejmë përkrahjen që po vjen në Ukrainë dhe mund të iu inkurajoj juve dhe gjithë botës që ta vazhdoni këtë mbështetje e të qëndroni krah Ukrainës deri në fund të kësaj lufte, sepse e vetmja gjë që Putini dhe ushtria ruse e kuptojnë është gjuha e forcës”.
Në fund tha se ata po luftojnë jo vetëm për shtetin e tyre, Ukrainën, por për vlerat demokratike të të gjithë botës.






















