Deputeti ukrainas në KiE bën thirrje që të njihet Kosova shtet i pavarur
Afet Bela / RTKlive
Përfaqësuesi i Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, ka bërë thirrje që të pranohet Kosova në Këshillin e Evropës.
“Dua ta them këtë veçanërisht për Kosovën. Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Aktualisht, 12 vende anëtare nuk e kanë njohur dhe po ju adresohem juve. "Ju lutem njiheni këtë vend si vend të pavarur, ashtu siç kanë luftuar për këtë gjë, për të ardhmen e tyre për pavarësinë e tyre. Ata duhet të ulen këtu së bashku me neve, ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës, vetëm kështu, ne mund të jemi më të fuqishëm dhe ky vend gjithashtu do të lulëzojë. Unë kam sponzorizuar projektligjin në Parlamentin e Ukrainës që ta mbështesim dhe pranojmë pavarësinë e Kosovës dhe ne të gjithë duhet ta bëjmë këtë dhe bashkërisht të lëvizim përpara. Jam i sigurt se këto vende mund të jenë pjesë e fuqishme e projektit tonë të përbashkët e të fuqishëm por për të arritur këtë, ne duhet të punojmë. Dua t'ua rikujtoj që jo vetëm Bota e Lirë është e bashkuar, "Bota jo e lirë" gjithashtu është e bashkuar, vetëm para një jave u zgjova në vendlindjen time në Odesë, nga shpërthimet që ndodhën vetëm 500 metra tutje nga dronët iranianë, pra kjo është një shenjë se sot ne kemi një luftë në mes të Botës së Lirë dhe Botës jo të Lirë Pra, ta përkrahim Botën e Lirë”, tha ai.
Oleksiy Goncharenko, i cili është edhe nënkryetar i Komitetit të për Migracionin, Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur, në Këshillin e Evropës,, tha se duhet të përkrahet Ballkani Perëndimor. '"Kosova është Evropë", tha ai.
Ndaj fjalimit të Përfaqësuesit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, në Twtter ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke ia shpërndaj fjalimin e tij. “Kosova është Evropë! Një fjalim i fuqishëm nga deputeti GoncharenkoUa. Mbi të drejtën e Kosovës për t'u ulur në mesin e kolegëve evropianë në Këshillin e Evropës. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë në anën e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, ka shkruar Osmani në Twitter.























