FSK shqyrton blerjen e pajisjeve ushtarake nga SHBA
M.Shefkiu/RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë takuar drejtorin e Agjencisë për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), James. A. Hursch.
Me këtë të fundit, Mehaj e Jashari kanë diskutuar edhe për blerjen e pajisjeve ushtarake nga SHBA-të. “Në këtë takim është biseduar rreth blerjeve të pajisjeve ushtarake të cilat janë në proces përmes programit të FMS dhe FMF”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtejs.
Ministri Mehaj në këtë takim është shprehur mirënjohjes ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë sa i përket investimeve në pajisje ushtarake si dhe përkrahjen e dhënë në trajnimin e ushtarakëve kosovarë në përdorimin e këtyre pajisjeve.
“Për dallim nga Serbia që partner ka Rusinë, për ne SHBA, mbetet partneri ynë kryesor në këtë drejtim, ngase synimi ynë është të bëjmë ngritjen e kapaciteteve tona në përputhje me standardet e NATO-s, në ndërveprueshmëri me Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ministri Mehaj me këtë rast.
Ndryshe, me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), ministri Mehaj dhe gjeneral Jashari, po qëndrojë në Uashington për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2022”.
Përveç takimeve gjatë panairit me përfaqësues të kompanive të industrisë amerikane të mbrojtjes, Mehaj e Jashari do të takohen edhe me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, gjeneral Daniel R. Hokanson.























