Marrëveshje Kosovë-Serbi, por pa dykuptimësi |Video
Muharrem Miftari/RTKlive
Sonte në emisionin “RTK Prime”, u debatua për zhvillimet e fundit sa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se parimet e këtyre bisedimeve janë që nuk ka marrëveshje të pjesshme, derisa nuk ka marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Marrëveshja duhet të jetë juridikisht e qartë”, tha Haziri, një prej protagonistëve edhe në bisedimet e Kosovës në Vjenë, kur diskutohej statusi përfundimtar i Kosovës, që rezultoi me pavarësinë e vendit në vitin 2008.
Haziri deklaroi se bisedimet e nisura që nga koha kur shefe e BE-së për Politike të Jashtme e Siguri ishte baronesha Catherine Ashton, janë përcjellë nga gjuha me dykuptimësi.
“Tani, disa nga këto marrëveshje të propozuara, që po fliten, kanë qenë të propozuara edhe në bisedimet e Vjenës”, tha ai në “RTK Prime”.
“Është propozuar që Kosovës t’i jepet status i veçantë e jo i qartë, me të cilin Serbia do të pajtohej, që Kosova të integrohej në organizatat ndërkombëtare.
“Por ajo që e kishte thënë ish- presidenti Ahtisari me gjuhë të plotë e të qartë ishte se ‘nuk ka gjysmë shtatzëni, pra ose duhet të lind një shtet ose nuk do të lind asgjë”.
Megjithatë, Haziri tha se pranimi i Kosovës nga ana e Serbisë po ndodhë, sepse çfarëdo marrëveshje që nënshkruan, është një lloj pranimi indirekt.
E njohësi i çështjeve politike, Taulant Kryeziu, deklaroi se duhet pasur kujdes që të ruhet trajta e shtetit, përgjatë këtyre bisedimeve.
Lidhur me dialogun mes Kosovës e Serbisë, ai theksoi se, në raste të tilla, të dy palët duhet lëshuar pe në dialog.
“Nuk dihet se çfarë do të ketë pas 10 vjetëve, por me rëndësi është të ruhet karakteri i shtetit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe duhet të jemi kreativ në dhënien e ofertave pasi duhet ruajtur miqtë tanë”, deklaroi Kryeziu.
Sipas tij, shihet që ka dinamikë dhe ka diçka konkrete tashmë në këto bisedime, por çdo marrëveshje apo propozim, duhet të shpaloset dhe duhet konsensus me i gjerë. “Kjo duhet të bëhet përtej Kuvendit e opozitës, sepse nuk mund të përmbyllet me një koalicion qeverisës”.
E në anën tjetër, historiani Shkodran Imeraj u shpreh se për një marrëveshje Kosovë-Serbi, duhet të ketë një garantues.
Teksa foli për situatën në vend, ai tha se jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, tashmë ka ndryshuar, madje që nga koha kur në Shtëpinë e Bardhë ka ardhur presidenti Joe Biden.
“Konsideroj se tani është një momentum i ri, e kjo sidomos pas ardhjes së demokratëve ne Shtëpinë e Bardhë dhe ambasadorit Hill në Serbi”, theksoi Imeraj.
Ai vlerëson se Gjykata Kushtetuese, lidhur me pronat përreth Manastirit të Deçanit, ka vepruar me dy standarde dhe, për më tepër, krijon precedan të rrezikshëm për kishat tjera, sepse sipas tij, ato janë kisha politike të ndërtuara nga regjimi i Millosheviqit.
Sidoqoftë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke folur për transparencën në bisedimet Kosovë-Serbi, tha se iniciativa të tilla krijojnë një momentum dhe, sipas tij, po shihet se po shkohet drejt një situate krejt të re politike.
“Dhe tashmë kryeministri e ka kuptuar se transparenca është pjesa më e vogël e negociatave karshi atyre që i ka në negociata, sepse nuk janë gjithmonë të hapura, të njohura dhe nuk bëhen shumë publike”, tha Haziri në “RTK Prime”.
Ai deklaroi se sa i përket kësaj pjese, LDK-ja si opozitë e ka kuptuar dhe tani e kupton kryeministrin, sepse e di që dialogu nuk ka alternativë.
“Pra ai e ka mbështetjen”, u shpreh nënkryetari i LDK-së. “Për herë të parë Kosova nuk ka parti politike, lëvizje apo grup parlamentar që është anti-dialog”.
“E për herë të parë nuk kërkohen transkripte të marrëveshjeve, por ato bëhen tani me tëitter, ashtu si Borrelli me marrëveshjen e fundit që ka njoftuar me tëitter”.
Lutfi Haziri deklaroi se kjo është e vërteta që do të ndodhë në këtë dialog. “E vërteta për marrëveshje gjithëpërfshirëse është më komplekse”.























