Rama në Strasburg, rezoluta kundër raportit të Martyt diskutohet sot në KiE
J.Musliu/RTKlive
Shqipëria, nëpërmjet kryeministrit Edi Rama, i drejtohet sot me një fjalim, Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës në Strasburg.
Fjalimi i kryeministrit Rama ka të bëjë me rezolutën "Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.
Është vetë Kryeministri Edi Rama i cili njoftoi se në orën 15:30, do t’i drejtohet kësaj asamblje, me një fjalim ku do kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (të vitit 2011) dhe shpalljen e akuzave për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, si të pabaza.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, raporti famëkeq i Dick Marty-t nuk mund të ketë si mbështetje rezolutën aktuale që është në fuqi.
“Mrëmëngjes dhe rrugës drejt Strasburgut, për t’ju drejtuar Asamblesë së Këshillit të Evropës sot në 15:30”, shkroi kryeministri Rama në llogarinë e tij në Facbeook.
“Ju uroj një ditë të mbarë”.
Shqipëria me 12 gusht të këtij viti, i dorëzoi zyrtarisht Këshillit të Evropës, rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.

Kryeministri Rama bëri me dije se rezoluta iu dërgua vendeve anëtare dhe atyre me statusin e vëzhguesit të Këshillit të Europës; Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Evropës; Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës; Presidentit dhe zv/presidentëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës; Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Më 21 korrik Parlamenti miratoi me 125 vota pro Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.























