Haradinaj: Kryeministër rriti pagat e pensionet, shteti s`mbahet me `vitra`
B. Halimi / RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për dhënien e 100 eurove shtesë për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.
“Jetesa në Kosovë po bëhet e papërballueshme, si pasojë e rritjes pa kontroll të çmimeve, e kryeministri në stilin e një mashtruesi ordiner, provon që duke ndarë lëmoshë t’i mbajë ‘gjallë’ pensionistët të cilët me aq sa marrin nuk i sigurojnë dot as ilaqet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai ka thënë se zgjidhja është në rritjet e pagave dhe pensioneve dhe jo në dhënien e shtesave.
“Shteti nuk mbahet me ‘vitra’, herë 50 euro e herë 100 euro! Zgjidhja është me masa të përhershme. Rriti pagat e pensionet e mos e shndërro shtetin në ‘cirk social’. Pensionistët kanë nevojë për dinjitet e jo për lëmoshë. Nëse nuk di, merr shembull nga shtetet përreth”, ka thënë tutje lideri i AAK-së.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e masës 3.2, në kuadër të pakos së përballjes me inflacionin, për mbështetjen e pensionistëve dhe familjeve me asistencë prej 100 eurosh.























