RTK në një fazë të re të zhvillimit, vlerëson Raporti për Kosovën i KE
BKT
Lajme

RTK në një fazë të re të zhvillimit, vlerëson Raporti për Kosovën i KE

RTklive

Raporti i progresit i Komisionit Evropian konstaton se Transmetuesi publik i Kosovës ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit duke e cilësuar procesin e përzgjedhjes së Bordit të RTK-së dhe më pas edhe të Drejtorit të Përgjithshëm nga ana e Bordit, si të bazuar në meritokraci.

“Kuvendi i Kosovës zgjodhi një bord të pavarur të transmetuesit publik, i bazuar në merita, transparecë dhe profesionalizëm, me përfaqësim të barabartë gjinor, ndërkaq Bordi zgjodhi Drejtorin e ri të Përgjithshëm me mandat tre vjeçar. Procesi u vlerësua si i bazuar në meritokraci nga organizatatat ndërkombëtare dhe vendore që e monitoruan procesin”-  thuhet në raport.

Aty përmenden veprimet e Bordit për shkarkimin e ish drejtorit të përgjithshëm, nën pretendimet për keqmenaxhim.

‘”Bordi aktualisht është duke ndërmarrë ndryshime në RTK për ta bërë atë më efikase në ofrimin e shërbimeve për publikun. Transmetuesi publik  ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të tij, me Bordin e ri. RTK-ja tani ka shtrirë mbulimin e saj duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës “- theksohet ndër të tjera në raport.

Raporti përmend edhe nismën legjislative për rishikimin e e Ligjit aktual për Radio Televizionin e Kosovës, që ka nisur në vitin 2019, por konstaton se procesi është i ngadalshëm. Projektligji i ri përfshin një model financimi real dhe të qëndrueshëm për RTK-në.

Këto vlerësime për transmetuesin publik të Kosovës, të përfshira në raportin e progresit, u publikuan në kohën kur transmetuesi publik megjithatë po përballet me krizë të madhe financiare, e cila po i pamundëson strukturave të reja drejtuese, ndër të tjera edhe për zbatimin e plotë të ligjit për RTK-në.

Pavarësisht shkurtimeve të mëdha buxhetore, RTK gjatë këtij viti ka arritur që të menaxhojë me përpikmëri fondet në dispozicion, duke ofruar llogaridhënie për të gjitha shpenzimet dhe projektet e realizuara, ndër to edhe për projektet për përmirësimin e kushteve të punës. Me gjithë vështirësitë financiare, RTK këtë vit nuk ka hyrë në borxhe të reja, pos atyre të trashëguara në vlerë prej 1,6 milionë Eurosh.

Bordi dhe Menaxhmenti kanë bërë kërkesë për buxhet shtesë për këtë vit në Kuvend dhe poashtu janë në finalizim të projeksionit buxhetor për vitin 2023, i cili përmban nevojat reale për zhvillimin e transmetuesit publik.

 


MË SHUME NGA Lajme