Kurti: Nuk e kam dëgjuar fjalimin e Ramës, qëndrimi im për specialen dihet
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se Dhomat e Specializuara nuk u karakterizuan për nga transparenca dhe nuk mund të lavdërohen për këtë. Për fjalimin e kryeminsitrit shqiptar Edi Rama para KiE-së tha se nuk e ka dëgjuar.
Përveç që foli rreth raportit për Kosovën, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga gazetarët është pyetur edhe për fjalimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku kërkoi ndër të tjera anulimin e raportit të Dick Martyt.
Kurti tha se nuk e ka dëgjuar fjalimin e homologut të tij nga Shqipëria, meqë kishte një agjendë të ngjeshur gjatë ditës.
“Kam qenë në Peje sot dhe tërë ditën nëpër takime të shumta e në mbrëmje përpiqem të përditësohem për mëngjesin e nesërm”.
Ndërkohë ka thënë se qëndrimi i tij për specialen është i njëjtë sikurse ai që kishte në vitin 2015.
“Brengën e shqetësimin tim dhe kritikën e kundërshtimin tim unë e kam thënë në pranverën e verën e vitit 2015 kur u patën përgatitur amendamentet kushtetuese që në qershor nuk kaluan e në gusht u risollën pa u ndryshuar. Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje”, ka thënë Kurti para gazetarëve derisa shtroi se Dhomat e Specializuara nuk u karakterizuan për nga transparenca.
“Pra nuk mund të lavdërohen për transparencë dhe po ashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtjen në paraburgim pa një datë gjykimi. Mbi të gjitha unë besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë, të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit e faktorët të gjykohen e dënohen”, tha ai
Andaj sipas tij kushdo që flet në arenën ndërkombëtare do të duhej nga faktorët ndërkombëtar ta trajtojë këtë çështje sepse në Kosovë tha ai ka ndodhur gjenocidi të cilin e ndaloi NATO-ja dhe ende ka pa numër krime të pa adresuara.
“Nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë e ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, tha tutje kryeministri Kurti.
Shefi i ekzekutivit nuk ka dashur të flas shumë për takimin e së enjtes të Këshillit për vizat.
“Unë jam gjithmonë optimist, jo vetëm për shkak se optimizmin e kam përshkrim të vendit të punës”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit u pyet edhe për propozimin franko-gjerman. “Ka diskutime, opsione, ka ide, ka teste e sprova mirëpo nuk mund të them se kemi diçka të ngurtësuar të cilën do të mund ta prezantonim në një formë përfundimtare. Nuk ka diçka të tillë, dialogu vazhdon, takimet e diskutimet”.
Për atë nëse Kosova është e gatshme të pranojë edhe një kusht të BE-së për të fituar liberalizimin, kryeministri pati këtë përgjigje.
“Nuk besoj se duhet të përgatitemi tash paraprakisht për skenarë negative dhe nuk besoj që ka as arsye as logjikë e as plane për kushte të reja, kushtet janë kryer dhe ne me optimizëm shikojmë përpara”.


Kurti: Raporti i KE-së vlerëson shumë të arritura në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog. Në një konferencë për media, Kurti tha se ky është raporti i parë që përfshinë periudhën e plotë njëvjeçare të qeverisjes së tij, cila sipas tij, ka shënuar progres në shumë fusha.
“Përkundër krizave globale me të cilat u përball jo vetëm Kosova, por i gjithë kontinenti evropian që nga pasojat e pandemisë deri te kriza e energjisë dhe ajo e inflacionit, Raporti përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike” tha Kurti në fillim të konferencës.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe pa skandale, sipas tij, e ka ngritur Kosovën në raportet ndërkombëtare.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ndërkaq ka theksuar se raporti i sivjetëm i KE-së njeh progresin e përgjithshëm të Kosovës, veçanërisht në sundimin e ligjit, si në krahasim me vitin e kaluar ashtu edhe me vendet e rajonit.
“Me një qeverisje të mirë po ofrojmë një klimë të përshtatshme të bërit biznes, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike 10.7 për qind të bruto-produktit vendore kjo është më shumë se çdo vit tjetër në historinë e shtetit tonë”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Lufta në Ukrainë pas invazionit e agresionit rus, sipas tij, ka forcuar nevojën për unitet në Evropë dhe ka ringjallur agjendën e zgjerimit. “Kjo vëmendje politike për Ballkanin i jep shpresë Kosovës që të avancojë në rrugëtimin evropian. Kosova është rreshtuar menjëherë me perëndimin”, ka thënë Kurti mes tjerash, raportin RTKlive.
Kryeministri po asht tha se Kosova ka intensifikuar angazhimin sa i përket liberalizimit të vizave dhe dy muaj më parë, i ka dorëzuar KE-së një raport të detajuar për progresin në sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimit të migrimit, fusha në të cilat, siç tha ai, shtetet anëtare kanë pasur hezitime.
“Të arriturat tona janë konfirmuar nga Komisioni dhe mirëpritur nga të gjithë vendet anëtare të Këshillit dhe kemi arritur të futemi në agjendë të Grupit Punues për viza pas më shumë se katër vitesh”, ka thënë Kurti.























