Opozitarët: Rama sot ishte zëri i Kosovës
BKT
RTklive
Lajme

Opozitarët: Rama sot ishte zëri i Kosovës

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Fjalimi i kësaj të mërkure i kryeministrit shqiptar, Edi Rama para Asamblesë së Këshillit të Evropës ku raportin e Dick Martyt e quajti ‘fake news’-in më të madh që është shpërndarë ndonjëherë, e Këshillit i bëri thirrje t’i rrëzojnë akuzat kundër Kosovës, gjatë ditës nxiti reagime të shumta në Kosovë.

Kreu i PDK-së pas këtij fjalimi ka falënderuar Ramën për qëndrimin, siç tha, dinjitoz atje duke e quajtur fat për Kosovën që Shqipëria ka një kryeministër si Rama.

“Është fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë sfiduese, Shqipëria ka një kryeministër si Edi Rama, i cili nuk e humb asnjë mundësi që i jepet për të mbrojtur Kosovën, luftën tonë çlirimtare dhe të drejtën tonë të patjetërsueshme për liri dhe pavarësi. Faleminderit Kryeministër Rama për qëndrimin dinjitoz dhe dashurinë e pakushtëzuar për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërkaq ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se sot Rama ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën.

“Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë. Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre”, ka shkruar Mustafa.

Edhe një tjetër ish-kryeministër shkroi disa rreshta pas këtij fjalimi.

Avdullah Hoti tha se Shqipëria mbetet zëri i Kosovës deri në anëtarësimin e shtetit në mekanizmat ndërkombëtar.

“Faleminderit Kryeministër Edi Rama për fjalën në Këshillin e Evropës. Derisa Kosova të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, Shqipëria mbetet zëri ynë, krahas vendeve mike që kanë mbështetur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi”.

Për fjalimin e kryeministrit shqiptar ka shkruar edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Sot Edi Rama ishte përsëri zëri i Kosovës! Pas fjalimit të tij në Këshill të sigurimit të OKB-së, sot në Këshill të Evropës. Jam i impresionuar dhe krenar për fjalimin që mbajti dhe ku i kërkoi botës të tregonte se ku ndodhen këto të ashtuquajtura organe? Ku edhe një herë theksoi se UÇK-ja ishte në anën e popullit dhe një lëvizje për liri, dhe jo terroriste. Janë veprime si këto që kanë shumë domethënie për Kosovën dhe për të cilat ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës. Faleminderit edhe një herë Kryeministër Rama!”, ka shkruar Pacolli.


MË SHUME NGA Lajme