Kadriu: Vetëm në veri ka operatorë ilegalë për tregtimin e energjisë
V.Thaçi/ RTKlive
Të gjitha kompanitë për tregtimin e energjisë elektrike në Kosovë janë të licencuara, përveç në veri të vendit ku ende ka operatorë që veprojnë ilegalisht.
Kështu tha Kadri Kadriu ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë publike KOSTT, gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Ai tha se kompanitë për tregtimin e energjisë elektrike që operojnë brenda Kosovës, veprojnë sipas rregullativës institucionale e shtetërore.
“Në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka palë që operon pa licencë. Ju po flisni për tregtim ndërkufitar, por ne kemi vepruar sipas interpretimit juridik që ka qenë në atë kohë dhe pas ndërmarrjes së interpretimit juridik, ne kemi ndërprerë këtë aktivitet. Më rëndësi është të theksohet se parimi, fryma e ligjit të Kosovës është i bazuar në direktivat e BE-së. Këto direktiva e njohin licencën e palëve në cilindo vend të komitetit të energjisë dhe në komunitetin e energjisë thuhet se shtetet e kanë obligim t'i zvogëlojnë në minimum barrierat e tregtimit ndërkufitar të energjisë në mënyrë që të krijojnë një treg unik të përbashkët”, tha Kadriu.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka pyetur se nëse në kohën e paraqitjes së krizës energjetike i kanë bashkërenduar hapat në fazën përgatitore me institucionet tjera, që të parandalohet ose të zbutet kriza, dhe nëse është ndërmarr ndonjë veprim bashkë me sektorët tjerë energjetikë rreth situatës që po keqësohet dita-ditës.
Kadriu u përgjigj se kanë kooperuar dhe bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me të gjithë akterët e sektorët, duke filluar nga prodhuesit e energjisë elektrike, tek furnizuesit dhe me palët në interkoneksion.
Ai shtoi se kriza masive e energjisë elektrike ka filluar diku në shtator, teksa pasojë është rritja e konsumit në nivel evropian që ka qenë dikun mbi gjashtë për qind dhe e cila praktikisht ka ndikuar që çmimet në tregun rajonal, regjional dhe evropian të rriten në masë të madhe.
"Në fund të vitit 2021 çmimet në nivel evropian kanë shkuar dikun në pesëfishin e çmimit që kanë qenë në vitet paraprake, e cila ka pasur efekt edhe në tregun e Kosovës. Duke pasur parasysh që ne në periudhat e dimrit nuk kemi kapacitete të mjaftueshme dhe na duhet të importojmë sasi të caktuara të energjisë, kjo mund të konsiderohet krizë financiare", ka shtuar Kadriu.
Kurse Pal Lekaj, deputet i AAK-së kërkoi përgjigje nga Kadriu, rreth asaj se ka informacione për kompani në Kosovë që operojnë ilegalisht.
E për këtë, Kadriu deklaroi se brenda territorit të Kosovës, vetëm në veri ka operatorë ilegalë.
“Brenda në Kosovë, nuk besoj që ka, krejt operatorët janë të licencuar. Në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka operator, përveç, e dimë operatorët ilegalë ku janë, në veri, ata janë tjetër muhabet”, tha ai.
Ndërsa, Driton Selmanaj kryetari i komisionit, ka pyetur Kadriun se a ka të drejtë KESCO të ndalojë importin e energjisë për shkak të çmimit të lartë.
Për këtë Kadriu tha se pikërisht për shkak të çmimit të lartë dhe që nuk ka importuar KESCO rrymë, janë shkaktuar devijimet.
Kadriu shtoi se kjo është përgjegjësi e ZRRE-së sa i përket mos importit të rrymës për shkak të çmimit të lartë nga KESCO
“Më shumë kjo i përket Zyrës së Rregullatorit, mendoj se çka do të flas unë, mundem me dhënë informacione që s’janë adekuate. Është e vërtetë se kjo na shkakton telashe operative. Por, në aspektin e të drejtave dhe detyrimeve, ndoshta është më mirë të pyetet ZRRE-në, sepse ata kanë obligim t’i monitorojnë shkeljet e palëve ndaj licencave. Gjatë muajit dhjetor KESCO ka informuar që për shkak të aspekteve financiare nuk kanë mundur të importojnë krejt energjinë. Dhe, devijimi ka ndodhur për këtë shkak”, ka theksuar Kadriu.
Rritja e konsumit ka qenë mbi 10 përqind në dimrin e kaluar, e Kadriu tha se kanë bërë maksimumin e mundshëm që këtë krizë energjetike ta menaxhojnë sa më mirë dhe teknikisht të mos shkaktohen probleme në sistem.























