Balluku: Raporti i KE-së konfirmon arritjet në zbatimin e reformave
ATSH
Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian, Christiane Hohmann, i dorëzoi sot zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Raportin e Progresit 2022 për Shqipërinë, të paraqitur dje nga Komisioni Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku deklaroi se raporti i progresit vazhdon të konfirmojë progres të mirë në zbatimin e reformës së gjithëpërfshirë në drejtësi, duke përfshirë edhe vazhdimin e sigurimit të rezultateve të prekshme në procesin e Vetting-ut si dhe funksionalitetin e plotë të organeve të drejtësisë.
“Raporti konfirmon gjithashtu arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen të drejtave themelore dhe sidomos mbrojtjen e vlerave evropiane dhe orientimin e qëndrueshëm të politikës sonë të jashtme, të bazuar në këto vlera dhe në linjëzim të plotë me politikat e BE-së”, u shpreh Balluku.
Balluku tha se detyrimet e qeverisë shqiptare janë ato të një vendi negociues që sapo ka nisur rrugëtimin e gjatë, për t’u bërë një ditë shtet anëtar, teksa shprehu vullnetin e qeverisë për të përshkruar këtë rrugëtim, të cilin ajo e cilësoi sfidues.
“Të jemi krenar që kemi ruajtur ritmin gjatë viteve të pasigurive, sepse ajo po na shpërblehet. Nuk ishte një rrugë e lehtë, e as do të jetë. Ne mund të mbështetemi te miqtë e partnerët tanë europianë dhe në unitetin kombëtar, që të qëndrojmë plotësisht pas objektivave të integrimit”, u shpreh ajo.























