Kosova nuk duhet të kushtëzohet për viza me sistemin ETIAS|Video
Muharrem Miftari/RTKLive
Sonte në RTK Prime është diskutuar për temën e liberalizimin e të vizave për Kosovën dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës se sot do të kishte vendim për viza . Për të debatuar për këtë temë të ftuar ishin: Arbëreshë Kryeziu-Hyseni nga LVV, Rrezarta Krasniqi nga LDK dhe Time Kadrijaj nga AAK.
Tri deputetet e Kuvendit të Kosovës u shprehën se nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të kushtëzohen edhe njëherë për lirinë lëvizjes me sistemin e ri të BE-së, ETIAS, që pritet të funksionalizohet në vitin tjetër.
Për herë të parë sot Grupi Punues për vizat i Këshillit të BE-së ka pasur në rend të ditës diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Presidenca Çeke ka thënë se duhen qartësuar edhe disa çështje për të çuar përpara liberalizmin e vizave për Kosovën, ndonëse nuk është specifikuar se për çfarë çështjesh bëhet fjalë.
Kryeziu Hyseni: E rëndësishme është futja e kësaj agjende në diskutim të këtij grupi punues
Deputetja nga radhët e LVV-së, Arbëresha Kryeziu Hyseni, theksoi se nuk ka pasur deklarata në formë zyrtare nga mbledhja e Grupit Punues për liberalizimin e vizave, por së voni nga Presidenca Çeke, ku thuhet se duhen plotësuar edhe disa çështje teknike, ndonëse nuk specifikohen se cilat janë ato, edhe pse u përmend se Franca ka bërë një propozim, por jo kusht.
Ajo më tej theksoi se sot nuk ka qenë koha e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave, në fakt, sqaroi tutje, sot ka qenë një takim i Grupit Punues ku është diskutuar për liberalizimin e vizave. “E rëndësishme është futja e kësaj agjende në diskutim të këtij grupi punues”, deklaroi Kryeziu-Hyseni, deputete nga radhët e LVV-së. Tutje ajo shtoi se nuk është e drejtë që Kosovës t’i kërkohet diçka që të bëhet pjesë e një sistemi që nuk është operacional e as në funksion e as testuar edhe nga vetë shtetet anëtare të BE-së, teksa përmendi sistemin e ashtuquajtur ETIAS, që është përmendur si sistem më 2016, që duhet zbatuar në shtator të 2023.
Krasniqi: Jam optimiste se ky proces do të përfundojë pozitivisht
Kurse për deputeten nga radhët e LDK-se Rrezarta Krasniqi, kjo nuk konsiderohet si mohim, por si kërkesë teknike që duhet plotësuar . “Jam optimiste se ky proces do të përfundojë pozitivisht, meqë jemi vend i vetëm që kemi plotësuar më shumë kritere sesa vendet tjera dhe prapë liberalizimi i vizave na mungon”, deklaroi deputetja Krasniqi.
Ajo, ndër të tjera u shpreh kritike se pse deri më tani nuk është paraqitur ndonjë kërkesë për plotësim, por vetëm sot në takim.
Kadrijaj: ETIAS një kusht fantom
Ndërkaq për deputeten Time Kadrijaj, nga radhët e AAK-së, “ky është një kusht fantom, që nuk varet prej Kosovës, që kemi plotësuar shumë më tepër kritere, sesa vendet tjera”, tha ajo dhe theksoi se ne jemi popull më pro-evropian.
“Ne si komisione parlamentare kemi qëndruar në Bruksel , por nuk kemi dëgjuar këso deklaratash që dëgjuam sot, as çështje teknike”, deklaroi Kadrijaj. Ajo përmendi faktin se lidhur me sigurinë e brendshme jemi më të avancuar se vendet tjera të rajonit. Sipas saj, propozimi i Francës për sistemin ETIAS, po mbështetet edhe nga vendet tjera si: Belgjika, Holanda, Spanja, Suedia.























