Robert Lewandowski, ironi me “Topin e Artë”
BKT
Sport

Robert Lewandowski, ironi me “Topin e Artë”

RTSH

Anulimi i dhënies së “Topit të Artë” për vitin 2020, për shkak të epidemisë së “Covid-19”, të cilin, sipas të gjitha gjasave do ta kishte fituar Robert Lewandowski, duket se i ka mbetur ende në mendje sulmuesit të Barcelonës.

Ky çmim, padyshim më prestigjiozi në botën e futbollit, ka qenë që nga viti 2008, pothuajse pronë private e Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, të cilët këtë vit nuk kanë të ngjarë ta fitojnë atë dhe kjo është ajo që e bën edhe më të veçantë për rivalët.

Robert Lewandowski ishte i sigurt për ta fituar para dy vitesh, para se të anulohej dhënia e çmimit dhe, duke folur para ceremonisë së këtij viti, që mbahet të hënën në mbrëmje, kapiteni i përfaqësueses së Polonisë, nuk e fshehu që mendonte se, sipas të gjitha gjasave, Karim Benzema do ta fitonte “Topin e Artë”.

Duke folur për mediat spanjolle, 34-vjeçari tha me nota ironie: “Ai është padyshim një nga favoritët për ta fituar atë. Natyrisht, nëse nuk e anulojnë “Topin e Artë”, atëherë ai me siguri që do ta fitojë, po, po...”

Në sezonin që duhet ta fitonte këtë çmim, Lewandowski shënoi plot 55 gola dhe dha pasimin e fundit edhe për 10 të tjerë, teksa Bajerni i Mynihut fitoi Ligën e Kampioneve, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë dhe u detyrua të kënaqej vetëm me Çmimin e Lojtarit Më Të Mirë - “The Best”, të dhënë nga FIFA, por edhe atë të dhënë nga UEFA.

Lionel Messi do të detyrohet këtë vit ta dorëzojë kurorën e më të mirit të botës, pasi nuk është përfshirë as në listën paraprake të 30-man shortlist.

Fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2022 do të shpallet të hënën në mbrëmje dhe sulmuesi i Realit të Madridit, Benzema, është favoriti kryesor për ta fituar atë pasi e udhëhoqi gjiganden kryeqytetase drejt titullit në Spanjë dhe trofeut të 14-të të Ligës së Kampioneve sezonin e shkuar.