Kurorëzimi i patriarkut Porfirije në Patrikanën e Pejës
BKT
Foto: REL
Lajme

Kurorëzimi i patriarkut Porfirije në Patrikanën e Pejës

REL

Në manastirin e Patrikanës së Pejës, në perëndim të Kosovës, filloi akti ceremonial i kurorëzimit të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, në fronin e kryepeshkopit të Pejës dhe patriarkut të serbëve.

Më 14 tetor, Kisha Ortodokse Serbe dhe besimtarët shënojnë festën fetare të manastirit të Patrikanës së Pejës.

Akti i kurorëzimit të patriarkut bëhet një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij si udhëheqës i Kishës Ortodokse Serbe.

Në ceremoninë e kurorëzimit po marrin pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe, mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, si dhe qytetarë serbë nga Kosova dhe shtetet e rajonit.

Patriarku Porfirije ka ardhur në Kosovë më 12 tetor, ku u prit nga peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, si dhe nga klerikët dhe murgjit e tjerë të Kishës Ortodokse Serbe.

“Sa herë që vijmë këtu (në Kosovë) kemi një ndjenjë të thellë se jemi kthyer te vetja”, tha patriarku serb në një fjalim nga Prizreni, para kurorëzimit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL), tha se është përgatitur një plan operativ për garantimin e sigurisë gjatë aktit të kurorëzimit të patriarkut Porfirije.

Ai shpjegoi se plani operativ ka hyrë në fuqi më 12 tetor dhe do të zgjasë deri në përfundimin e aktit të kurorëzimit.

“Të gjitha masat për siguri janë ndërmarrë nga Drejtoria rajonale (e Pejës) për manifestimin që e ka Patrikana në Pejë”, tha Gashi.

Akti i shugurimit në manastirin e shekullit XIII, në Patrikanën e Pejës, është vendi ku patriarkët serbë, sipas traditës, marrin detyrën.

Në Patrikanën e Pejës është kurorëzuar patriarku i parë i Patrikanës Serbe, Dimitrije (Pavloviq), më 24 gusht të vitit 1924, ndërkaq më vonë aty janë kurorëzuar edhe pasuesit e tij në fronin e Shën Savës.

“Për tetë shekuj, manastiri i Patrikanës së Pejës ka ruajtur fronin e shenjtë, në të cilin janë hyj trashëgimtarët e Shën Savës dhe nga i cili kryepeshkopët dhe patriarkët serbë qeverisin Kishën Ortodokse Serbe”, ka thënë javën e kaluar Kisha Ortodokse Serbe, kur u paralajmërua kurorëzimi i patriarkut Porfirije në Patrikanën e Pejës.

Në shkurt të vitit 2021, menjëherë pas ngjitjes në fron, patriarku Porfirije tha se prioriteti i parë, si për të ashtu edhe për Kishën, do të jenë “serbët e vuajtur nga Kosova, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët që janë kudo në botë”.

“Ne jemi në Kosovë dhe Kosova është në ne”, tha Porfirije, pas kurorëzimit si patriark, më 19 shkurt, në Kishën e Krye-engjëllit Mihail në Beograd.

Ndërkohë, ai ka ardhur disa herë në Kosovë, ndërsa herën e fundit e ka mbajtur shërbesën përkujtimore në Gazimestan, më 28 qershor të vitit 2022, me rastin e festës së Shën Vidit të Kishës Ortodokse Serbe.

Çdo vit, në atë vend organizohet përvjetori i Betejës së Kosovës e vitit 1389, ngjarje kjo që shënoi fillimin e rënies së shtetit mesjetar serb nën sundimin osman. Në historinë moderne, veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit XX, ajo u përdor për qëllime të popullarizimit të politikës nacionaliste serbe, e cila përcolli shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë.

Në shënimin e sivjetshëm të Shën Vidit, Porfirije porositi nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, se populli serb dhe shqiptar janë “vëllezër”, sepse jetojnë së bashku në Kosovë.

“Dhe, jam i sigurt se ata gjithashtu e dinë, nëse besojnë në Zot, në një Zot, se edhe librat në të cilat besojnë pjesa më e madhe e tyre, e kërkojnë të njëjtën gjë. Ato (librat) ftojnë dhe kujtojnë se vetëm në bashkësi mund të jemi në rrugën e Zotit. Se ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe se është e rëndësishme që ne vet ta kuptojmë këtë”, tha në atë kohë patriarku.

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ka ndaluar hyrjen. Vendimin e tillë ai e quajti si “më skandalozi” pasi kishte planifikuar të merrte pjesë në kurorëzimin e patriarkut në Patrikanën e Pejës.

Petkoviq deklaroi se në emailin që i është dërguar, nuk shpjegohet pse vizita e tij ishte e ndaluar. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 tetor, ka thënë se më e rëndësishme është që ka ardhur patriarku Porfirije dhe se kisha duhet të veprojë veçmas nga politikanët.

Ai vlerësoi, gjithashtu, se Kisha Ortodokse Serbe e kryesuar nga patriarku Porfirije, duhet të “distancohet nga Kremlini”.

“Do të ishte mirë që patriarku serb, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, të dënonte agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe në këtë mënyrë të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin”, tha Kurti.


MË SHUME NGA Lajme