Boletini dhe Ahmetxhekaj kërkojnë rritjen e buxhetit për RTK-në|Video
A.Bela/RTKlive
(E plotësuar, 14:20) Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në të cilën kanë raportuar Bordi i RTK-së dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarë të Komisionit, parashtruan pyetje rreth menaxhimit dhe funksionimit të RTK-së.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj dhe anëtar të tjerë të Bordit, thanë se po punojnë në bazë të transparencës dhe se do të angazhohen që të gjendet edhe zgjidhje, qoftë për financim të qëndrueshëm të RTK-së, si dhe për një zgjidhje të pronës për transmetuesin e vetëm publik në vend.
Ramadani: Ka përmirësim të madh, transparencë dhe llogaridhënie në RTK
Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Valon Ramadani theksoi se me rëndësi në dy- tre vitet e ardhshme për RTK është llogaridhënia dhe transparenca. Ai ka lavdëruar bordin dhe menaxhmentin e RTK-së për punën, që e ka vërtetuar edhe raporti pozitiv i Progresit nga Komisioni Evropian.
“Unë mendoj se RTK-së duhet t'i kthehet besueshmëria. RTK duhet të përmbush misionin që ka. Neni 3 i Ligjit për RTK-në e thotë qartë se RTK ka mision: informimin, edukimin dhe argëtimin. Ka përmirësim të madh, transparencë dhe llogaridhënie në RTK”, theksoi ai. Sipas Ramadanit, do të punohet që çështja e pronës të RTK-së të zgjidhet sa më shpejt.
(E plotësuar, 13:45) Po mbahet mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në të cilën po raportojnë Bordi i RTK-së dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Besnik Boletini, tha se progresi që synohet është ende larg, pavarësisht punës që është duke u bërë aty. Ai ka kërkuar mbështetje nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për RTK.
“Nëse mbesim me këtë buxhet do të kemi ngecje në aspektin teknik dhe në program, shpresoj që të kemi rritje të buxhetit për vitin 2023, tani është momentumi, nëse na shtohet buxheti ne do të japim premtime publike. Viti 2023 është vit i zhvillimit të RTK-së”, theksoi ai.
Boletini bëri me dije se RTSH (Radio Televizioni Shqiptar) ka buxhet rreth 20 milionë euro. “RTK ka buxhet të vogël në krahasim me transmetuesit publik të vendeve të tjera. Për një transmetues ky buxhet është i vogël”, theksoi ai.
Kurse drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka folur për skemën programore, programet për fëmijë, për zyrën e RTK-së në Prizren, që është një investim nga JICA japoneze. Edhe Ahmetxhekaj sikur Boletini dhe anëtarë të tjerët të bordit, kërkuan mbështetje për zhvillimin e RTK-së.“Ka investime, por jo në nivelin që ne dëshirojmë”, tha ai.
Kurse për Radio Kosovën, Ahmetxhekaj, bëri me dije se tani ka ofertues serioz për furnizim me pajisje të reja dhe ato do të vendosen tek antenat.
“Tani RTK po shfrytëzon rrjetin e KTTN-së, e cila është përgjegjës për mirëmbajtje të antenave. Në projeksionet e vitit 2023 e kemi bërë të qartë se do të kemi zhvillim”, tha ai. Edhe për RTK2 tha se tani është e qasshme në veri të vendit dhe se RTK2 ka 82 persona që punojnë në këtë njësi.
Ndërkaq deputeti i PDK-së, Isak Shabani, ka kërkuar më shumë vëmendje rreth zhvillimeve që kanë të bëjnë më ecurinë dhe procesin në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Për këtë drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, bëri me dije se do të dërgojnë ekip special të RTK-së në Hagë për vitin tjetër për raportim rreth Gjykatës Speciale.
Edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni përmendi raportin e Komisionit Evropian që lavdëron zhvillimet pozitive në RTK, duke përfshirë përzgjedhjen e bordit të RTK-së dhe zhvillime të tjera.
“Është mirë që nuk keni borxhe të reja, buxheti i vogël prej 8.9 milionë euro është i vogël, por si bord ju duhet të shikoni ndonjë plan të marketingut për të pasur gjenerime të tjera dhe të shohin se cili është plani i marketingut dhe produksioneve të reja”, tha ajo.
Live|Ahmetxhekaj: Në RTK ende nuk ka filluar ristrukturimi, por risistemimi
(E plotësuar, 12:50) Po vazhdon mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në të cilën drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, iu është përgjigjur pyetje të anëtarëve të Komisionit.
Drejtori Ahmetxhekaj tha se në RTK nuk ka filluar ristrukturimi i vendeve të punës, por risistemimi që lejohet në bazë të ligjit të RTK-së.
“Pozitat që ju i përmendi, kanë të bëjë për njerëzit që kanë qenë aty, por nuk kanë qenë produktiv. Ne nuk kemi marrë asnjë vendim për degradim”, tha ai. Kurse pyetjeve të deputetëve për mos protokollim të disa ankesave të punëtorëve, Ahmetxhekaj tha se ka qenë keqkuptim dhe nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim
Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka përgëzuar RTK-në për arritjet, sidomos me zgjerim të sinjalit në veri dhe hapjen e zyrës së RTK-së, në Prizren. Ai ka përmendur se ka raste të shkeljeve të drejtave të njeriut të punëtorëve të RTK-së. Lushtaku ka bërë disa pyetje për bordin dhe drejtorin e RTK-së.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besim Muzaqi nga VV ka përgëzuar bordin dhe manaxhmentin për punën. Sipas tij, RTK duhet të jetë në shërbim të publikut. Ai është interesuar për tetë dosjet e dërguara në Prokurori. Muzaqi ka pyetur bordin dhe menaxhmentin për emisionet edukative e arsimore, për donacionet etj.
Live|Boletini: Zhvillimi i RTK-së i hap rrugë parapagimit
(E plotësuar, 11:50) Ka filluar mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në të cilën po raporton Bordi i RTK-së dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini, tha se për këto muaj kanë pasur rreth 60 takime dhe ka qenë punë e vazhdueshme, duke përfshirë edhe takimet online.
“Kemi instaluar një logjikë të re të punës dhe llogaridhënies dhe kujdes për shpenzime racionale. Këtë vit nuk do të hyjmë në borxhe të reja, kemi bërë një skanim të situatës së përgjithshme për të parë ku qëndrojmë, pasi kemi identifikuar probleme të shumta. Gjatë rrugës kemi adresuar dhe dërguar tetë dosje në prokurori, presim që prokuroria të marrë masa”, tha Boletini. Ai ka folur edhe për vendimin e shkarkimit të ish-drejtorit të përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati, si dhe zgjedhjen e drejtorit të ri të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Për gjetjet e ZKA-së, Boletini tha se janë pajtuar me ato raporte dhe i kanë adresuar ato rekomandime, të cilat edhe janë duke u zbatuar.
“Në fund të vitit do të ketë raport për secilin rekomandim. Po ashtu, ai foli edhe për vendimet që kanë të bëjnë me vendet e punës, duke përmendur se disa raste të ndërprerjes së tetë kontratave për ish-punëtorët të cilët nuk kanë ardhur në punë.
Boletini ka folur edhe për pronën e RTK-së. “Ne do të dorëzojmë draftin për pronën dhe për mënyrën e parapagimit të RTK-së”, tha ai. Po ashtu Boletini bëri me dije se janë funksionalizuar Komiteti i publikut dhe i Auditimit.
Boletini: Media online RTKlive ka ndryshuar
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Besnik Boletini, ka folur edhe për median online të RTK-së. “Në javët e fundit kemi një grup të redaktorëve që i shikojnë lajmet, pra kemi një filtër të lajmeve. Pra kjo bëhet për t’i shmangur gabimet ditore, Për fat të mirë nuk kanë ndodhur në këto muaj. Lajmet ditore kanë një dinamikë të madhe. Po ashtu një çështje tjetër është se tani në RTKlive kemi lajme në të gjitha gjuhët e komuniteteve në Kosovë”, tha ai.
Po ashtu Boletini foli edhe për skemën e re programore. Për ndeshjet e kombëtares së Kosovës, ai ka sqaruar se po tentojnë të bëjnë një marrëveshje për t'i pasur ato, për shkak se nuk kanë aplikuar kur ka qenë tenderi i hapur. Po ashtu një e arritur e RTK-së, është edhe hapja e Zyrës rajonale në Prizren me donacion nga JICA japoneze, si dhe hapja e zyrës në Mitrovicë, e cila do të realizohet .
Boletini përmendi edhe planet për të ardhmen dhe bashkëpunimin me EBU, si dhe mundësinë e sigurimit të ftesës për Eurovision, po tha se nuk do të jap shumë detaje për shkak se mund të dëmtohet procesi.
Ai foli edhe për raportin e progresit, i cili e vlerëson lartë RTK-në. “Ka shumë rëndësi për ne që në raport vlerësohet se RTK nuk ndikohet politikisht në politikën editoriale”, theksoi ai.
Sipas tij në fund të vitit do të ketë raport të vlerësimit të stafit.”Neve si bord na intereson të ketë vlerësime për stafin dhe meritokracinë”, tha Boletini.
Gjë pozitive për RTK është edhe marrëveshja me RTSH-në, për shkëmbime të materialeve.
Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Besnik Boletini, foli edhe për sfidat që RTK i ka tani. “Ka pajisje që janë qe 20 vite dhe kjo ka ndikim në punët e përditshme. Ne kemi bërë një skanim të tërësishëm të situatës dhe kemi bërë kërkesë në Komisionin për buxhet për t’i blerë ato pajisje”, tha ai.
Boletini ka kërkuar të ndahen 2.2 milionë euro për RTK-në. “Buxheti është 8.9 milionë euro. Është e pamundur që gjithë këtë angazhim t'a shndërrojmë në progres. Ne po kërkojmë që është momentumi për ta shtyrë RTK-në që të zhvillohet. Një funksionim i RTK-së, për vitin 2023 i hap rrugë parapagimit”, deklaroi ai.
Bordi i RTK-së, do të raportojë për punën gjashtë mujore të vitit 2022 (Ora 06:35)
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal sot do të mbajë mbledhje.
Në këtë mbledhje pikë e rendit të ditës, do të jetë edhe raportimi i Bordit të RTK-së, për punën gjashtë mujore të vitit 2022, raporton RTKlive.
Po ashtu në rend dite janë votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative dhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.























