Balla për “dekriminalizimin”: Kemi marrë kohën e duhur për konsultimet
ATSH
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla siguroi sot se ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit do të depozitohen, por ndërkohë po vijojnë konsultimet.
Në një prononcim për medie nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se “PS ka marrë kohën e duhur për konsultime”.
“Kemi marrë kohën e duhur dhe të jeni të sigurt që PS do i depozitojë. Shpresojmë që nesër të kemi një takim me grupin e punës, por një gjë është e sigurt, do të depozitohen ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit”, siguroi Balla.
Sipas tij, “është një punë e rëndësishme që është bërë deri më tani”. “Në ligjin e partive politike, në Shqipëri nuk mund të jesh kryetar i një partie politike me damkën e bashkëpunëtorit të sigurimit të shtetit. Janë propozime që kanë mbështetjen e shumicës së Kuvendit të Shqipërisë”, shtoi ai.
Ai theksoi se edhe pse kanë qenë verifikuar më parë me komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”, duhet të vlerësohen nën dritën e fakteve të reja që kanë dalë.























