Përmirësim i sistemin TIMS pas sulmeve kibernetike
RTSH
Policia e Shtetit ka sqaruar se mbrëmjen e djeshme janë realizuar procese mirëmbajtje në sistemin TIMS të cilat sollën ndërprerje të shërbimit në një interval të shkurtër kohor në disa prej pikave kufitare.
Kjo ndërhyrje vjen pas sulmeve kibernetike që goditën sistemin TIMS në muajin shtator, ku për pasojë për pak kohë u paralizua puna në aeroportin e Rinasit. Pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Sistemi TIMS u rikthye në të gjitha pikat kufitare pas 24 orësh.
Policia bën me dije se edhe ditët në vijim do të ketë ndërprerje në pika të ndryshme kufitare për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, për të cilat Policia thekson se kanë për qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS.
“Në lidhje me disa lajme të publikuara mbrëmjen e djeshme, në disa media dhe portale, në të cilat është pretenduar se ka ndodhur përsëri sulm kibernetik ndaj sistemit TIMS, sqarojmë opinionin publik se: Ndaj sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme, nuk ka ndodhur sulm kibernetik, por në kuadrin e përmirësimit dhe rritjes së performancës së sistemit TIMS, mbrëmjen e djeshme u realizuan disa procese të parashikuara mirëmbajtjeje, të cilat ndërprenë shërbimin në interval të shkurtër kohor, në disa prej pikave kufitare, por pa sjellë pengesa në lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Konfirmojmë se pas ndërhyrjes së shkurtër, mbrëmjen e djeshme, sistemi TIMS vijon të jetë funksional, në të gjitha pikat kufitare. Sqarojmë se edhe në ditët në vijim, do të ketë ndërprerje me afat të shkurtër kohor, në pika të ndryshme kufitare, për shkak të ndërhyrjeve të brendshme, me qëllim përmirësimin e performancës së sistemit TIMS. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave që para se të publikojnë lajme që kanë impakt tek qytetarët, të kërkojë informacion zyrtar pranë strukturave përkatëse të Policisë së Shtetit”, sqaron Policia.























