Komisioni për Buxhet voton raportin dhe kërkesën buxhetore për RTK-në
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
( E plotësuar) Komisioni për Buxhet e Transfere sot pas një debati disa orësh ka votuar raportin për RTK-në dhe buxhetin për tremujorin e ardhshëm të transmetuesit publik.
Anëtarët e Komisionit për Buxhet e Transfere me shumicë votash i kanë thënë po raportit financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën korrik-shtator 2022, si dhe kërkesës për ndarje buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës për periudhën tetor-dhjetor 2022.
Ahmetxhekaj: Parashohim që vitin tjetër t’i shlyejmë të gjitha borxhet, por rriteni buxhetin
Drejtori Gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka folur për borxhet me të cilat vazhdon të përballet RTK-ja.
Ai tha se deputetët mund t’i ndihmojnë RTK-së dukë i rritur buxhetin, jo vetëm për shlyerjen borxheve, por edhe për të ofruar program më cilësor.
“Për vitin tjetër në projeksionin buxhetor kemi parashikuar shlyerjen e të gjitha borxheve që kemi e që janë 1 milion e 350 mijë euro. Ne nuk mund të lëvizim drejtë shlyerjes nëse ju si deputet nuk na ndihmoni që të kemi një buxhet adekuat, jo vetëm për shlyerjen e borxheve, por edhe të ofruar një program cilësor”, tha ai.
E nëse sipas tij deputetët pajtohen që RTK-ja të shkojë me buxhet ekzistencial, atëherë tha ai mund edhe të merren hapa radikal, por që nuk i duhen shoqërisë kosovare.
“Nuk besoj që kjo mund t’i duhet Kosovës e shoqërisë sepse do të ketë pasoja të mëdha për punëtorët sepse duhet të bëjmë shkurtime të mëdha dhe mendoj që në këtë krizë që po kalojmë do të ishte e papranueshme që ne të shpallim krizë financiare e të bëjmë përgjysmimin e stafit”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Ndërkohë të pyetur se sa janë realizuar të hyrat vetanake të parapara për këtë vit, përfaqësuesit e RTK-së kanë treguar se kjo ka arritur në 98 për qind në këtë 9 mujor që do të thotë se është tejkaluar plani.
Sa i përket hapësirës për produksionet e jashtme i pyetur nga deputetët, Ahmetxhekaj tha se ka qenë e pamundur këtë vit që të paguhen produksionet e jashtme si shkak i buxhetit të vogël të RTK-së.
“Pavarësisht shkurtimeve që kanë ndodhur në fund të marsit në stafin e RTK-së nga rreth 1050 që kemi arritur në 760, ka qenë e vështirë të mbijetojmë këtë vit me këtë financim që kemi pasur, prandaj kemi qenë duar lidhur dhe e kemi cekur se nuk po arrijmë të zbatojmë ligjin për RTK të cilin Kuvendi e ka votuar”, tha ai.
Ndërkohë deputetët e Vetëvendosjes, Visar Korenica e Eman Rrahmani pyetën Bordin se pse nuk janë plotësuar pozitat e larta menaxheriale për të cilat kishte konkurs.
Korenica kërkoi të dijë nëse emrat nuk kanë përmbushur kriteret. Përgjigje mori nga Boletini.
“Së pari nuk e di që ka thënë dikush të mos jenë përmbushur kriteret. Si pikë e parë secili anëtar voton në bazë të bindjeve të veta për secilin kandidat. Ne pretendojmë t’i kemi kandidatët më të mirë e nuk jemi të gatshëm dikujt t’ia japim besimin për 3 vjet nëse nuk jemi të bindur se ai mund të përfshihet në progresin që ne pretendojmë”, tha ai.
Diskutimi vazhdoi edhe me deputetin Rrahmani që tha se Bordi i RTK-së përveç votës kundër duhet ta arsyetojë atë, dhe kjo nxiti reagimin e kryetarit Boletini.
“Nuk i vlerësojmë ne si bord kandidatët, ne vlerësojmë veç Drejtorin e Përgjithshëm. Absolutisht nuk japim asnjë lloj përgjegjësie për votën tonë nëse nuk kemi besim tek një profesionist, kandidat që ka ardhur për emërim në një pozicion të caktuar. Nuk mundet askush të na obligojë qysh ta orientojmë votën tonë, po më duket si një tendencë për të ndërhyrë”, ka thënë Boletini.
Ndërkohë Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka pyetur drejtuesit e RTK-së nëse kanë menduar ndonjëherë për ulje pagash në mediumin publik, si formë kursimi të buxhetit.
Anëtari i Bordit, Driton Hetemi tha se kjo është diskutuar si mundësi, por nëse nuk ka mundësi të tjera, mund të jetë njëra prej zgjidhjeve.
Por, ai ka kërkuar që të mos keqkuptohet thirrja e tyre për shtim të buxhetit se këtë tha ai nuk po e bëjnë për të krijuar pozita të reja e as për të rekrutuar njerëz të rinj, por për të investuar në RTK, meqë buxheti aktual tha Hetemi lejon veç ekzistencën, por jo edhe investimet.
Ai ka treguar për konceptin që e kanë për kanalin e 4 të RTK-së e që duan t’ia dedikojnë punës së Kuvendit, meqë mendojnë se nuk po mbulohet si duhet, por kjo kërkon buxhet e investim.
Deputetët kanë përmendur raportin e fundit për Kosovën të Komisionit Evropian për periudhën një vjeçare duke e quajtur si sukses të përbashkët atë që është shkruar aty për RTK-në derisa kanë kërkuar që reformat në mediumin publik të vazhdojnë.
Boletini: RTK këtë vit me buxhetin më të vogël në dekadën e fundit
Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini bashkë me Drejtorin Gjeneral të mediumit publik, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe anëtarë të tjerë të Bordit janë përballë deputetëve të Kuvendit, anëtarë të Komisionit për Buxhet e Transfere duke raportuar për raportin financiar të korrik- shtator derisa aty do të bëhet edhe shqyrtimi i kërkesës për ndarje buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës për periudhën tetor-dhjetor 2022.
Në fjalën e tij kreu i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se menaxhimi financiar ka vazhduar mirë përkundër sfidave të mëdha që ka pasur RTK-ja për shkak të buxhetit të vogël.
“Megjithatë jemi angazhuar të kemi shpenzime sa më racionale dhe kursime. Kemi tentuar të kursejmë në disa aspekte si në mbulimin e disa ngjarjeve rajonale e ndërkombëtare, shkurtim i përdorimit të veturave zyrtare brenda qytetit si dhe uljet e shpenzimeve për telefoni e të tjera që kanë pasur e kanë rëndësi për ne meqë e kemi buxhetin goxha të limituar”, tha para Komisionit ai.
Kreu i Bordit të RTK-së tutje tha se këtë vit po përmbyllin pa krijuar borxhe të reja.
“Përkundër vështirësive ekzistenciale ne kemi arritur t’i barazojmë e t’i shlyejmë disa borxhe në vlerë prej 176 mijë euro”, tregoi ai.
Derisa ka bërë krahasim të së njëjtës periudhë me atë të viti 2021, Boletini tregoi se janë 340 mijë euro më pak të paguara për paga për bashkëpunëtor, tash në këtë periudhë të vitit 2022.
Në kuadër të kompletimit të menaxhmetit dhe rëndësisë financiare të saj, kreu i Bordit i njoftoi anëtaret e Komisionit për Buxhet se javën e kaluar me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm e sipas legjislacionit në fuqi kanë emëruar udhëheqësin e shërbimeve të përbashkëta, pozicion ky siç tha ai shumë i rëndësishëm edhe për aspektin financiar edhe për aspektin e riorganizimit.
Tutje ka treguar se në kuadër të reformave dhe funksionimit të mirë u është ndërpre marrëdhënia e punës disa personave që nuk kanë vijuar punën e kjo siç ka thënë ai tregon për qasjen strikte që është krijuar sa i përket vijueshmërisë në punë.
Ai tha se nuk ka ndodhur prej një dekade që RTK-ja të ketë buxhetin më të vogël se së ka pasur këtë vit.
“Kjo ka qenë alarmante dhe shqetësuese për ne dhe shpresojmë që këtë vit do të keni në konsideratë këtë çështje sepse me numrin aktual të punëtorëve që i kemi dhe me të hyrat, do të jetë e pamundur të funksionohet”, tha ai.
Ndërkohë si sfidë të vazhdueshme Boletini i ka paraqitur borxhet e trashëguara prej 1. 6 milion euro që tregoi se përmbaruesit ia kërkojnë RTK-së.























