Rama: S’do lejojmë që kjo krizë të reflektohet në faturat e qytetarëve
ATSH
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ky do të jetë dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën dhe për ne.
Në një takim me operatorë turistikë dhe të hotelerisë në qytetin e Gjirokastrës, Rama u shpreh se, “ndërkohë kjo nuk është situatë rozë, është një situatë shumë shqetësuese sepse bota, bashkë me botën dhe Evropa, bashkë me Evropën, Shqipëria, bashkë më Shqipërinë, Gjirokastra dhe bashkë me Gjirokastrën edhe fshati më i largët i zonës, kanë hyrë në një epokë të re kërcënimesh, në një epokë të re rreziku që vjen nga përshkallëzimi i një konflikti, i cili ka degraduar deri në një pikë që ne të gjithë nuk jemi të vetëdijshëm, se jetojmë shumë me shpejtësinë e lajmeve, jetojmë shumë me llafe-llafe-llafe, me imazhe-imazhe-imazhe nëpër telefona, nëpër televizorë, nëpër kanale, nëpër portale”.
Rama theksoi se, “është e paimagjinueshme që të qëndrosh një sekondë ta mendosh që po flitet për një luftë bërthamore sikur po flitet për një përplasje me gurë në lagje. Një luftë bërthamore që do të thotë fund”.
Rama shtoi se, “pavarësisht se nuk jemi aty ku hidhen bombat dhe ku është zemra flakëruese e këtij konflikti të madh botëror, jemi nën goditjen e inflacionit të kësaj lufte, të luftës së Vladimir Putinit. Të agresionit ekstrem, jo ndaj Ukrainës, por të agresionit ekstrem ndaj Perëndimit. Basti i Putinit është rrëzimi i Perëndimit nga dimri”.
“Po flitet sot për një dimër që do të jetë më i vështiri pas Luftës së Dytë Botërore për Evropën dhe për ne. Do të jetë më i vështiri sepse Evropës i janë kufizuar maksimalisht burimet e energjisë elektrike dhe të ngrohjes dhe të funksionimit të të gjithë industrive”, tha Rama.
Rama u shpreh se, “ne në këtë kontekst jemi ende të pagoditur për fat, por edhe për shkak të vendimit dhe vendosmërisë së qeverisë nga rritja e çmimit të energjisë”.
“Ju vazhdoni të funksiononi me çmimet e paraluftës. Ndërkohë në faturën tuaj ajo që nuk duket është ajo që paguan buxheti, paguan arka e përbashkët e shtetit. Sepse ne besojmë shumë fort që qeveria është këtu për t’u bërë mburojë dhe për të mos lejuar që kriza energjetike që i ka çuar çmimet në stratosferë të shfaqet në faturën e energjisë elektrike, qoftë të familjeve, qoftë edhe të bizneseve të vogla”, tha Rama.
“Madje, pavarësisht se ne kemi vendosur një fashë deri në 800 kW për të gjitha nevojat e familjeve dhe kemi thënë që mbi 800 kW do të paguhet çmimi real i energjisë. Sepse mbi 800 kW janë një numër i vogël familjesh në krahasim me tërësinë e abonentëve që shkon maksimumi deri në rreth 60 mijë. Prapë së prapë duke parë që kishim një mundësi, ne nuk e lamë atë mundësi për të futur duart në arkën e familjeve mbi fashën, por përsëri e shtymë sepse u krijua një mundësi”, tha Rama.
“Tani përsëri jemi duke parë nëse do të krijohet përsëri një mundësi që mos të vendoset fasha në muajin nëntor”, theksoi Rama.
Rama shtoi se, për t’u krijuar kjo mundësi duhet nga një anë të kemi reshje, dhe nga ana tjetër përveç reshjeve duhet kursim.























