AAK: Qeveria të investojë në energji dhe të lidhet me gazsjellësin amerikan
Arlinda Sejda / RTK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një konference për media ka reaguar rreth situatës për energjinë në vend, duke thënë se situata është e jashtëzakonshme.
Duke e parë këtë situatë, AAK-ja ka adresuar tri qëndrime për daljen nga kriza e rënduar e energjisë, e që sipas këtij subjekti politik këto veprime janë jetike për vendin.
Shefi i Grupi Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se marrëveshja me BE-në për energjinë në veri ka skaduar dje dhe ka një heshtje institucionale.
“Jo vetëm në Kosovë po botërisht ka një krize reale të energjisë, e cila po vjen duke u vështirësuar. Blloqet janë në gjendje të rëndë”, tha Tahiri.
Ai tha se qëndrimet e AAK-së për zbutjen e krizës energjetike janë jetike për vendin, teksa i kërkuar qeverisë që në fokusin e politikave të jenë investimet në sektorin e energjisë.
“E para është që të nisë procedura e investimeve të shtetit të Kosovës në energji me linjit, pra të fillojë ndërtimi i kapaciteteve të reja, respektivisht i një termocentrali të ri që do të zëvendësojë termocentralet që janë simbol i ndotjes së ambientit. Pastaj, Kosova duhet që të stimulojë dhe të subvencionojë energjinë alternative si ajo me erë, solare dhe hidrocentralet e vogla. Dhe e treta lidhja me gazsjellësin amerikan, që siguron burim të gazit amerikan dhe lidhje të qëndrueshme në rrjetin evropian dhe burimeve amerikane, njëjtë sikurse shtetet e rajonit”, tha Tahiri.
Tahiri ka thënë se AAK tashmë ka nisur konsultimet me ekspertë dhe me faktorin ndërkombëtar sa i përket krizës energjetike, teksa ka thënë se siguria e vendit është kërcënuar në mungesë të veprimeve konkrete të ekzekutivit.
Ndërkaq, Pal Lekaj ka kërkuar respektim të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel për çështjen e energjisë në veri. Ai ka kërkuar që organizatat që kanë kompetenca të veprojnë në veri, pasi atje është licencuar ‘Elektroseveri’.
Ai ka thënë se KOSTT dhe KEDS nuk kanë qasje në veri, teksa mosfaturimi i energjisë në veri i ka kushtuar vendit 100 milionë euro.
Sipas Lekajt, derisa Qeveria nuk i ka plotësuar kërkesat e grevistëve në vend, në anën tjetër vazhdon të paguajë rrymën për qytetarët serbë në veri.























