Kampionët vizitojnë krerët e UÇK-së
BKT
Sport

Kampionët vizitojnë krerët e UÇK-së

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Në mesin e shumë personaliteteve tona që po vizitojnë krerët e UÇK-së në Hagë, sot rrugës për në Holandë janë nisur edhe trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka bashkë me ish-xhudistën tonë të famshme, Majlinda Kelmendi.

Kuka përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se bashkë me Majlindën do të kenë takime me zyrtarët e shtetit holandez për promovimin e suksesit të Kosovës në judo.

“Rrugës për në Holandë, ku bashkë me Majlindën do të kemi takime me zyrtarë të këtij shteti për promovimin e suksesit të Kosovës në judo si dhe dakordimin e programit drejt Lojërave Olimpike në Paris me federatat mike të Holandes dhe Gjermanisë!”, ka shkruar Kuka.

Ai ka shtuar së nesër në shoqëri të Majlindës, do të vizitojë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin, Rexhep Selimin dhe Nasim Haradinajn.

“Ne po ashtu do të shfrytëzojmë këtë mundësi që nesër të takojmë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, ish-deputetin, Rexhep Selimin dhe Nasim Haradinajn. Historikisht, luftërat e popullit tonë kanë qenë të pabarabarta, gjithmonë kanë qenë të vështira. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se do të zhdukemi, ne jemi zgjuar. Edhe atëherë kur të gjithë kanë menduar se ne do të dorëzohemi, ne jemi ringritur. Luftërat dhe qëndresa e popullit tonë, gjithmonë kanë qenë frymëzim i imi dhe Majlindes në çdo betejë. Rrugëtimi im dhe i Majlindës ka qenë i vështirë, përplot sfida, pengesa, dëshpërime. Por, ne, bashkë me mbështetjen e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës kemi arritur që vendit t’i sjellim fitore historike. Ashtu është edhe beteja e radhës së krerëve të UCK-së, të cilët do të dalin fitues nga një betejë e pabarabartë, që burimin e ka në raportin skandaloz dhe të padrejtë  të senatorit Dick Marty”, ka shkruar Kuka.