Arrihet marrëveshja në mes të KOSTT-it dhe Elektrosever-it
Gjeraqin Tuhina/RTK-Bruksel
KOSTT dhe Elektrosever, kanë finalizuar nënshkrimin e marrëveshjeve të standardeve teknike sipas Udhërrëfyesit rreth të cilit janë pajtuar Kosova dhe Serbia, ka konfirmuar një zëdhënës i Bashkimit Evropian. Të njëjtën ditë, Elektrosever, konform udhërrëfyesit, ofroi një bazë të dhënash për klientët.
Sipas pohimeve të këtij zëdhënësi, marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por pasi që Kosova e ka njoftuar Brukselin se ka nisur zyrtarisht periudhën 15-ditore të konsultimit nën lehtësimin e BE-së, sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit ku parashihet se ZRRE-ja mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë qiranë e furnizimit të dhënë për Elektrosever në rast të mospërputhjes me dispozitat e konkluzioneve të dakorduara.
“Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë më tej detyrimet e tyre në pritje të Udhërrëfyesit pa vonesa të mëtejshme. Me afrimin e shpejtë të dimrit, nuk ka kohë për të humbur”, ka porositur ky zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Elektrosever kishte thyer afatet kohore të parapara sipas udhërrëfyesit të dakorduar në mes të Kosovës dhe Serbisë meqë kanë kaluar më shumë se 100 ditë për ti mbushur kriteret e dala nga udhërrëfyesi. Për këtë udhërrëfyes janë pajtuar kryenegociatorët nga Prishtina dhe Beogradi më 21 qershor të këtij viti, ndërsa marrëveshjes e energjetikës ishte arritur qysh në vitin 2013.
























