Shtyhet seanca e Kuvendit, nuk pati kuorum për votim
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Shtyhet seanca e Kuvendit, nuk pati kuorum për votim

A.Bela - M. Miftari / RTKlive

Projektligjin për mbështetjen e punëve publike nuk pati kuorum për votim. Kjo për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi ka mbyllur punimet për të vazhduar të hënën në orën 10:00.

Gjatë shqyrtimit, opozita ka kritikuar qeverinë për hartimin e këtij projektligj, derisa mazhoranca ka kërkuar nga deputetët që miratohet dhe të ndodhë kompensimi për operatorët ekonomik që të përshpejtojnë dinamikën e realizimit të punëve publike.

Në mungesë të kuorumit dështuan të votohen projektligjet për përcaktimin e çmimit tavan për produktet elementare dhe projektligjin për mbështetjen e punëve publike.

 

Video|Murati kërkon mbështetje për Projektligjin për Punë Publike

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka propozuar një varg projektligjesh për miratim në Kuvend, në mes të cilëve edhe Projektligjin për Punë Publike, ku siç tha ai, kanë pasur ngecje nga situata e re në tregun e ndërtimit dhe nga rritja e kostove.

Ai ka kërkuar nga grupet parlamentare që ta mbështesin këtë projektligj, i cili parasheh kompensimin për ato materiale ndërtimore të cilat janë ndikuar nga inflacioni si: bitumen, çimento, hekur, etj., si dhe produkte të palstikës.

Tutje ministri Murati theksoi se kompenzimi mund të bëhet edhe për punët përcjellëse, të cilat indeksohen sipas çmimeve të harmonizuara e të publikuar nga ASK.

“Të drejtën për të kërkuar kompensim për inflacion parashihet që ta kenë operatorët ekonomikë që dëshmojnë se materialet ndërtimore që janë pjesë e kontratës së tyre kanë pësuar rritje të çmimeve, ku kriter është që të ketë kontratë aktive për punë publike të vlerës së mesme e të madhe, e nënshkruar sipas Ligjit për Prokurim Publik e nënshkruar para datës 1 prill të këtij viti. Ndërsa kontratat që janë të nënshkruara pas datës 1 prill të këtij viti, llogaritet të vlerësohen me çmime të reja, që janë aktualisht në treg”, sqaroi mininstri Murati.

Më tej, ai, ftoi deputetët dhe grupet parlamentare që në bazë të nevojës që kanë shprehur edhe niveli lokal e edhe ministritë tjera të linjës, për një projketligj të tillë, që u mundëson fleksibilitetin e përshtatjes së çmimeve dhe vazhdimin e punimeve.

Dështon sërish votimi i Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve esenciale

(E plotësuar, 16:05) Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon punimet me pikat e radhës të rendit të ditës, pasi votimi i projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg nuk ka arritur të votohet as pas pauzës.

Në votim kanë marrë pjesë vetëm 57 deputetë, derisa pjesa tjetër e deputetëve edhe pse ishin të pranishëm nuk kanë votuar. Kësisoj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se ky projektligj kalon për votim në seancë tjetër.

( E plotësuar, ora 13:25) Nuk ka kuorum, dështon të votohet Projektligji për çmime

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për të votuar për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas votimit dhe mos arritjes së kuorumit, ka kërkuar që seanca të rifillojë nga ora 15:00.

(E plotësuar, ora 13:20) Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin në të cilën në rend dite është duke u bërë shqyrtimi i projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Live|Abdixhiku: Inflacioni në Kosovë ka arritur rreth 20%

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar deklarimet e ministrave të Qeverisë së Kosovës për padituri.  Sipas tij reagimi për veprimet e qeverisë rreth çmimeve është shumë i vonshëm. “Po bëhen gati tetë muaj që kanë filluar rritjet e çmimeve, sot kemi inflacion të lartë, prej se keni ju ardhur në pushtet 19.3 është inflacioni në vend”, theksoi ai.

Abdixhiku vlerësoi se mos veprimet e Qeverisë së Kosovës, për shkak të zhvillimeve në tregjet globale, kanë bërë që sot në Kosovë të kemi inflacion me 20%.

Për projektligjin, për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Abdixhiku tha se do të dëmtohen bizneset e vogla.

(E plotësuar, ora 12:45) Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin në të cilën në rend dite është duke u bërë shqyrtimi i projektligjit, për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Live|Murati: Çmimet enorme nga importi dhe tregtarët abuzues

Ministri i Financave, Punës dhe i Transfereve Hekuran Murati, tha se ky projekt ligj do ta rregullojë problemin e çmimeve bazike. “ Rritja e çmimeve në treg ka dy faktorë kryesor kontribuues. E para është importi, për shkak se për kaq vite nuk është bërë asgjë për ritjen e kapaciteteve prodhuesve në vend, pra ne jemi vend i varur nga importet. Ne kemi filluar me masat përkrahëse dhe ato kërkojnë kohë. E para është çmimi që është rritur në nivel global dhe qeveria nuk ka kontroll dhe e dyta është me tregtar nga vendi", tha Murati, duke përmendur se ka tregtar abuzues që e rrisin marzhën e fitimit deri në 90%, raporton RTKlive.

Sipas tij ka qeveria në problemin e parë nuk do të mund të marrë masa, ndërsa me këtë projektligj, për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, do të ndalen abuzimet dhe do të ndalë marzhën e fitimit që është në mënyrë abuzuese.

Ministri Murati mori shembull çmimin e vajit që në ditët e fundit ka ardhur me çmimin 1.40 cent ndërsa po shitet 2.60 cent dhe ky çmim është me marzhën e fitimit 90%. Sipas të parit të financave të Kosovës, heqja e TVSH-së nuk do të zgjidh problemin e çmimeve pasi që në raste të caktuara nuk është treguar funksional.

Live|Hajdari: Ka produkte që marzha e fitimit u shkon deri në 80%

(E plotësuar, ora 12:15) Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin në të cilën në rend dite është duke u bërë shqyrtimi i projektligjit, për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe për mbështetjen e punëve publike.

Ministrja Rozeta Hajdari, theksoi se për këtë projektligj është bërë pas një analize në treg. Ajo vlerësoi se ky ligj nuk shkel Kushtetutën e Republikë së Kosovës. “Ky projektligj ka dalë duke u bazuar nga një grup punues. Pra është një evidencë dhe analizë. Ne nuk po adresojmë inflacionin dhe mos arsyeshmërinë e rritjes së çmimeve të produkteve në treg”, theksoi ajo, raporton RTKlive. Hajdari bëri me dije se po ndërhyjnë në çmimet e produkteve bazë, për shkak se ka produkte që shkojnë në fitim deri në 80%.

Live|Shyrtohet projektligji për çmimet ‘tavan’

(E plotësuar, ora 11:30) Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin në të cilën në rend dite është duke u bërë shqyrtimi i projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe për mbështetjen e punëve publike.

Live|Krasniqi: Kontrolli i çmimeve shkakton probleme në ekonomi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se tendenca për paraqitjen e çmimeve në treg nga qeveria se ato po manipulohen, gjoja nga disa abuzues nuk është i saktë. “Deri tash kjo qeveri, e as ministritë që e kanë si obligim primar, apo autoritetet shtetërore nuk kanë paraqitur asnjë evidencë, se rritja e çmimeve enorme po shkaktohet nga disa abuzues”, tha Krasniqi, raporton RTKlive.

Sipas tij kontrolli i çmimeve më shumë shkakton probleme në ekonomi, sesa që mund të japë ndihmë tek konsumatorët. Krasniqi vlerësoi se ky projektligj është kundër Kushtetutës së Kosovës. Ai tha se projektligji ka shumë mangësi.

Hajdari: Këto janë produktet që do të kenë çmime ‘tavan’

(E plotësuar, ora 11:05) Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës plenare në të cilën në rend dite janë shqyrtimi i dy projektligjeve, ai për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe për mbështetjen e punëve publike.

Ministrja Rozeta Hajdari, ka arsyetuar projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ajo tha se ky ligj do të aplikohet në rastet kur do të kemi destabilizim të çmimeve në treg, raporton RTKlive.

“Ky ligj sot të zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik që tregtojnë produktet ekonomike dhe ka efekt nëse kemi mungesë të produkteve. Ky projektligje ka paraparë masa mbrojtëse në raste të veçanta, mbikëqyrjen dhe sanksionet. Produktet janë: drithërat, gruri, buka, orizi, vaji ushqimor, luledielli, qumështi, vezë, sheqeri, produktet higjienës dhe druri”, tha ajo.

Sipas saj ka shtete të rajonit, që kanë miratuar këtë lloj të ligjit, si është edhe Shqipëria që ka bërë ligj për disa produkte.

Kusari-Lila:Qëllimi kryesor është i këtij ligji është ruajtja e qytetarëve dhe konsumatorëve

Edhe Mimoza Kusari nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, tha se qëllimi kryesor është i këtij ligji është ruajtja e qytetarëve dhe konsumatorëve.No description available.

“Në këtë proces është i nevojshëm mekanizmi ligjor dhe në raste të caktuara të vë kontroll”, tha ajo. Sipas saj është e domosdoshme ndërhyrja dhe marrja e masave të tilla.

Shala: Ky ligj nuk ka as fillim dhe as mbarim

Ndërsa në emër të Grupit të Parlamentar të PDK-së,  Ferat Shala, ka kritikuar këtë projektligj tha se ky projektligj nuk ka afat.No description available.

 “Ky ligj nuk ka as fillim dhe as mbarim. Sa zgjat ky projektligji. Kush është komisioni me kompetenca ekzekutive. Në draftligj thuhet se krijohet nga Ministria”, tha Shala. Sipas tij është rrezik që ky ligj të miratohet dhe të fillojë të implementohet.

Ndërsa në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami tha se Kosova është vend me ekonomi të lirë të tregut dhe çmimet rregullohen në bazë të kërkesës dhe ofertës.No description available.

 “Me këto iniciativa ligjore ju po ricikloni sisteme të kaluara”, theksoi ajo. Sipas saj ky projektligj nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Lekaj: Ky Projektligj dëmton kompanitë prodhuese në Kosovë

Ndërkaq në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, deputeti Pal Lekaj, vlerësoi se Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kundër tregut. “Ky Projektligj dëmton kompanitë prodhuese në Kosovë, nene dhe amendamente të caktuara dëmtojnë ekonominë e lirë dhe dëmton demokracinë në Kosovë”, theksoi ai. Sipas tij AAK, kërkon largimin e TVSH-së, për produktet bazë sesa në këtë formë sipas e sjellë në Kuvend, Qeveria e Kosovës. Lekaj bëri me dije se AAK do të votoj kundër këtij projektligji.

Live|Seanca e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar, ora 10:27) Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës plenare në të cilën në rend dite janë shqyrtimi i dy projektligjeve, ai për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe për mbështetjen e punëve publike.

Kuvendi shqyrton Projektligjin për çmimet e produkteve themelore

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot do të mblidhet në seancë të re plenare, si dhe do të vazhdojë seancat me pikat e mbetura.

Në seancën e rregullt plenare, e cila do të fillojë në orën 10:00, do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbështetjen e punëve publike, raporton RTKlive.

Në orën 12:00, ndërkaq, Kuvendi do të vazhdojë punimet me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 4 gusht 2022, nga seanca plenare e mbajtur më 7 tetor 2022, nga seanca e datës 15, 22 dhe 23 shtator 2022, pastaj nga seanca e datës 29 shtator dhe 3 tetor 2022, si dhe nga seanca plenare e filluar 14 tetor 2022.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 4 gusht 2022 janë: Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së  Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit  për noterinë,

shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.

Kurse pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 7 tetor 2022 janë: votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”, votimi në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Ndërkaq pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 15, 22 dhe 23 shtator 2022 janë: votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë, shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Po ashtu Kuvendi do të ketë në rend dite edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 29 shtator dhe 3 tetor 2022y e cila është votimi për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e filluar 14 tetor 2022 janë: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve, shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me mosrealizimin e projekteve kapitale të Qeverisë gjatë vitit 2022, zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2021.

 

 


MË SHUME NGA Lajme